Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se vazhdon t’iu bëjë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet në veri të Kosovës, sipas Radio Evropa e Lirë (REL). “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë bërë të qartë pritshmëritë e tyre për të dyja palët. Këto diskutime po vazhdojnë”, tha sot një zëdhënës i DASH, në Uashingtoni duke komentuar planin pesë-pikësh të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për uljen e tensioneve në veri. Në pikën e parë të planit është sundimi i ligjit, që sipas kryeministrit kosovar nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët, në veri të Kosovës. Më 13 qershor, policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq- Llune. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i arrestuari është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe drejtuesit e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë. Ai ka qenë një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të NATO-s, në Zveçan më 29 maj. “Ata që janë përgjegjës për sulmet e dhunshme duhet të vendosen përballë përgjegjësisë, pas një procesi të rregullt ligjor dhe me transparencë të plotë”, tha zëdhënësi i DASH-it. SHBA-ja dhe BE-ja i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa; qetësimin e situatës në veri, zhvillimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë. Kryetarët u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe. Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. atsh