Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALELegjislacioni i ri për mbrojtjen e të dhënave personale

Legjislacioni i ri për mbrojtjen e të dhënave personale

“Siguria kibernetike, agjenda digjitale dhe mbrojtja e të dhënave personale” titullohej forumi i biznesit i organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham), ku e ftuar ishte dhe Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në fokus të diskutimeve ishin risitë e zbatuara në këtë fushë, legjislacioni i ardhshëm kombëtar për mbrojtjen e të dhënave personale, ndikimi i kuadrit rregullator evropian apo edhe më gjerë në komunitetin e biznesit, si dhe sfidat në lidhje me sigurinë kibernetike në epokën digjitale. Zyra e Komisionerit u përfaqësua në këtë takim nga Besa Velaj, drejtore e Kabinetit. Ajo prezantoi procesin e hartimit të legjislacionit të ri në këtë fushë, i cili transpozon tërësisht Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Bashkimit Evropian (GDPR). Kuadri i ardhshëm rregullator rrit kontrollin e qytetarëve mbi përpunimin e të dhënave të tyre personale, duke iu përgjigjur zhvillimeve të teknologjisë në epokën digjitale. Nga ana tjetër, legjislacioni i ri do të rrisë detyrimet për kontrolluesit/përpunuesit për sa i përket elementëve të tillë, si: informimi dhe marrja e pëlqimit nga individët; etika, integriteti dhe përgjegjshmëria në proceset përpunuese; për masat e sigurisë; futjen e koncepteve inovative: e drejta për t’u harruar, transferueshmëria e të dhënave, privatësia në projektim dhe në mënyrë të paracaktuar (privacy by default and by design); etj. Një aspekt tjetër i tij është edhe forcimi i rolit dhe funksioneve të Zyrës së Komisionerit, në garantimin e ushtrimit praktik të kësaj të drejte dhe lirie themelore të individit. Miratimi nga Kuvendi i kuadrit të ardhshëm rregullator vendos standarde bashkëkohore, për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomiko-shoqëror, si dhe do të rrisë besimin e qytetarëve ndaj kontrolluesve publik/privat në raport me shërbimet që ata ofrojnë. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments