Kali i qyqes (Neophron percnopterus), ky lloj i rrezikuar dhe njëkohësisht emblematik, është rikthyer në Parkun Kombëtar të Tomorit. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau në rrjetet sociale një video me momente nga prania e Kalit të Qyqes në këtë park. Stafi i Administratës së Zonave të Mbrojtura Berat, e regjistroi këtë specie 2 herë gjatë javës së shkuar. Fillimisht më 2 qershor dhe më pas edhe më qartë në 8 qershor, sikurse tregon edhe video. “Lajmi i rikthimit është një zbulim i jashtëzakonshëm për këtë specie të rrezikuar në nivel kombëtar dhe botëror, e cila ka sot vetëm 8 territore në Shqipëri.Njëkohësisht ky lajm jep shpresë për rimëkëmbjen e popullatës së Kalit të qyqes në zonat e mbrojtura, si dhe në gjithë Shqipërinë”, thekson AKZM. Sipas AKZM, ky zbulim thekson rëndësinë dhe unikalitetin e Parkut Kombëtar të Tomorit, si një oaz të shpendëve dhe kafshëve të rralla e të rrezikuara. Vitin e kaluar popullata e kalit të qyqes në Shqipëri përbëhej nga 6 çifte folezues dhe 2 individë të vetmuar. Ndërsa në Ballkan kjo popullatë përfaqësohej nga më pak së 50 të tillë. atsh