Shtetet e Bashkuara te Amerikes dhe Kosova po vazhdojnë të përfshihen në një mosmarrëveshje të pazakontë publike, pasi kryeministri i palëkundur i aleatit të SHBA-së, Albin Kurti, i rezistoi thirrjeve për të ndërmarrë hapa që Perëndimi thotë se janë të nevojshëm për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve etnike në veri të vendit, sipas voanews.
Tensionet u ndezën javën e kaluar pasi kryetarët shqiptarë etnikë hynë në ndërtesat komunale me mbështetjen e policisë, pavarësisht se kishin fituar me vetëm 3,5 përqind të votave në zgjedhjet lokale që serbët etnikë i bojkotuan.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak, vizituan Kosovën dhe Serbinë këtë javë, ku u kërkuan udhëheqësve të dy vendeve që të shmangin përshkallëzimet, të zhvillojnë zgjedhje të reja të shpejta në veri të Kosovës dhe të rifillojnë dialogun e tyre.
Është e paqartë nëse ata do të jenë në gjendje të bindin të dy palët.
Escobar e ka quajtur Kurtin jo fleksibël dhe jo bashkëpunues dhe Kurti është ankuar se Uashingtoni dhe Brukseli janë të njëanshëm në favor të Serbisë.
Ajo që është në rrezik është një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që synon normalizimin e marrëdhënieve, por deri më tani nuk janë ndërmarrë hapa konkretë.
Të enjten, ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill tha se Uashingtoni ka një problem me Kurtin.
“Ai nuk është i gatshëm të pajtohet dhe mendoj se ne kemi disa çështje shumë thelbësore me të nëse mund të mbështetemi tek ai si partner”, tha ai.
Kurti u përgjigj, duke u ankuar në një intervistë për Associated Press (AP) për paragjykim ndaj vendit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian dhe tolerancë ndaj asaj që ai e quan regjimi autoritar i Serbisë.
“Të sjellurit mirë me një autokrat nuk e bën atë të sillet më mirë. Përkundrazi”, tha ai për AP.
Hill konfirmoi një pikëpamje që shumë prej atyre që kanë ndjekur Ballkanin Perëndimor dhe angazhimin e SHBA-së me Kosovën ndajnë këto ditë.
“Unë nuk mendoj se kam parë ndonjëherë një përçarje kaq të thellë, me të vërtetë … atë që ne po bëjmë tani mes Prishtinës dhe Uashingtonit”, tha ai.
Ndërsa analistët pajtohen se situata është e rrezikshme, ata kanë mendime të ndryshme për kritikat e hapura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kurtit.
Luke Coffey, një bashkëpunëtor i lartë i Institutit Hudson, tha se shqetësimi më i madh për të ka qenë mënyra se si administrata Biden e ka trajtuar situatën, duke e quajtur qasjen e Escobar, pothuajse të pamatur.
“Unë e kuptoj këtë dëshirë për të ushtruar presion mbi të dyja palët nga qeveria e SHBA-së, por duket se tani presioni është në mënyrë disproporcionale mbi Kosovën… Dhe mendoj se kjo është e pashëndetshme”, tha Coffey.
Por, Charles Kupchan, një anëtar i lartë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se kritikat janë të justifikuara.
“Kurti ka ndërmarrë veprime, kohët e fundit, që unë i konsideroj si provokuese dhe të panevojshme, duke përfshirë … përdorimin e rojeve të armatosura për të ulur në zyra kryetarët shqiptarë etnikë që u zgjodhën me më pak se 4 përqind të votave. Këto nuk janë manovra të dobishme”, tha ai.
Kupchan tha se SHBA-ja dhe BE ende duhet të mbajnë një qasje të barabartë, duke pasur parasysh se Serbia ka qenë një lojtar i vështirë në këto çështje që në fillim, se Serbia ka të ngjarë të këshillojë serbët në veri që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e fundit .
“Pra, përderisa unë mendoj se kritikat ndaj Kurtit janë të justifikuara, presioni duhet të qëndrojë mbi Prishtinën dhe Beogradin nëse do të shohim progres drejt normalizimit dhe zbatimit të marrëveshjeve, duke përfshirë një formë të vetë-menaxhimit serb në Kosovë”, tha ai.
SHBA-ja dhe BE-ja i kanë kërkuar Serbisë që të tërheqë trupat që i dërgoi në kufirin me Kosovën dhe t’u bëjë thirrje protestuesve të jenë të qetë.
Por vëzhguesit vërejnë se nuk ka pasur thirrje të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, siç ka qenë me Kurtin.
Coffey tha se Perëndimi po përpiqet të qetësojë Serbinë dhe Vuçiç po përpiqet të përfitojë.
“Ai pretendon se do të afrohet më shumë me Perëndimin dhe do të jetë një anëtar produktiv i komunitetit euroatlantik, por gjatë gjithë kohës ai është shumë komod me Moskën, me Kremlinin. Dhe Serbia, nën udhëheqjen e tij, mbetet baza kryesore e Rusisë në Ballkan”, tha ai, duke shtuar se kjo minon interesat e SHBA-së në rajon.