Akademia e Shkencave u është drejtuar me një letër studiuesve dhe institucioneve të huaja të kërkimit shkencor që kanë reaguar pas vendimit të Këshillit të Ministrave për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe riorganizimin e njësive kryesore të saj. Sipas Akademisë, vendimi vjen në kuadër të ringritjes dhe reformimit të sistemit shkencor në Shqipëri. “Duke vlerësuar reagimin tuaj për këtë çështje si shprehje e interesimit të vazhdueshëm që ju keni treguar e tregoni për institucionet akademike në Shqipëri, duke vlerësuar edhe kontributet tuaja dhënë ndër vite, bashkëpunimin të cilin do të donim ta forconim më tej, me rastin e kalimit të instituteve albanologjike (gjuhësi-letërsi, arkeologji, histori, antropologji dhe studime për artin), pranë ASHSH-së, si institucione me autonomi shkencore dhe financiare, dëshirojmë t’u sigurojmë më së pari se, vendimi për bashkimin e tyre me ASHSH është një kërkesë e Asamblesë sonë, në kuadër të ringritjes dhe reformimit të sistemit shkencor në Shqipëri”, thuhet në letrën e Akademisë së Shkencave. Më tej, thuhet se vendimi është për t’u përshëndetur, që pas një periudhe të gjatë, qeveria u bind për përparësinë e reformës së marrë nga ASHSH-ja dhe për nevojën e ristrukturimit të sistemit të kërkimit shkencor, duke forcuar institutet ekzistuese dhe duke ngritur institute të reja që i mungojnë shkencës shqiptare, në fushat si: nano-teknologji, bio-teknologji, gjeoshkencat dhe gjeoinxhinieritë, studimi i tokës, etj. “Primar mbetet forcimi i institucioneve albanologjike, rritja e statusit të tyre, duke i hequr nga ekzekutivi, e duke i kaluar si institucione të pavarura, pranë ASHSH-së. Ky strukturim i ri do të mundësojë akoma më mirë bashkëpunimin me ju dhe me institucionin që ju përfaqësoni”, thuhet në letrën e Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Akademia e Shkencave:Strukturimi rrit bashkëpunimin
RELATED ARTICLES