Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEARSIMRiorganizim i Akademisë së Studimeve Albanologjike në përputhje me ligjin

Riorganizim i Akademisë së Studimeve Albanologjike në përputhje me ligjin

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi deklaroi sot se “qëllimi i ligjit është riorganizimi i Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe të jetë në përputhje më ligjin, pasi është totalisht në shkelje të tij dhe ta ngremë në një nivel të ri”. Në interpelancën e kërkuar nga deputetët e opozitës për riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike, Kushi tha se “Akademia e Shkencave është institucioni majë i shkencës në vend përfshirë albanologjinë . Është nder për ne që t’i kemi të gjithë studiuesit dhe akademikët bashkë për të vijuar projektet e mëdha”. “Nuk bëhet fjalë as për zhdukje, as për shkrirje. Vendimi parashikon bashkim, riorganizim të Akademisë së Studimeve Albanaologjike, që gjithashtu që unë kam vlerësimet maksimale edhe për studiuesit që janë pjesë e ASA dhe që pjesa më e madhe e tyre janë anëtarë të ASH. Në 95 anëtarë gati gjysma janë punonjësit aktuale dhe disa jo aktualë të ASA”, u shpreh Kushi. Duke sqaruar se si lindi ASA, Kushi tha se “institutet kanë qenë gjithmonë pjesë e ASH deri në 2007. Po në këtë vit u mor vendimi që të formohej ASA, e cila fillimisht ishte Qendra pastaj u bë akademi, por në mënyrë të vazhdueshme i është kërkuar të riorganizohet në përputhje me ligjin”. “I jam drejtuar unë personalisht me shkresë zyrtare në 22 qershor 2021 ASA-s që të riorganziohet në përputhje me ligjin. Por asnjëherë edhe me shkresa zyrtare edhe me takime asnjëherë nuk kanë pranuar që të riorganizohen sipas ligjit, ne jemi institucione që bëjmë ligje dhe të justifikojmë shkeljen e ligjit?. Sot ASA është institucion i Arsimit të Lartë dhe ligji e ka në mënyrë eksplicite një akademi duhet të ketë një fakultet, nuk ka mësimdhënie, nuk është e akredituar, nuk ka studentë. Kjo është baza e një institucioni të arsimit të lartë.Si mund të ketë një institucion të arsimit të lartë ku në 8 vite nuk është regjistruar asnjë student, zero”, nënvizoi Kushi. Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës Kushi tha se “keni ndonjë dokument të ma faktoni që nuk është vërtet apo jo?. Prej 8 vitesh nuk ka asnjë student.Ligji e thotë qartë nëse për 2 vite nuk ka të regjistruar asnjë student duhet të mbyllet dhe është vetë institucioni që duhet të aplikoj për mbylljen e programit të studimit, gjë që nuk e kanë bërë”. Më tej Kushi vuri në dukje se “kanë doktorantë që nuk po i çojnë dot drejt kurorëzimit me sukses. “nuk po i hedhim në rrugë, por po garantojmë transferimin e tyre në institucione të tjera të arsimit të lartë në universitete që kanë program të ngjashme. VKM parashikon që të gjithë studiuesit, institutet, pasurinë, asetet, gjithçka transferohet nuk hidhet në erë. E thoni shpesh po zhduken 100 studiues, përkundrazi këta do të ngrihen në një nivel të ri”. Kushi ndër të tjera theksoi se është e papranueshme sesi akuzohet Skënder Gjinushi për punën që po bën në krye të Akademisë së Shkencave. “Asambleja voton kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe nëse nuk do të dekretohet nga Presidenti atëherë sërish do të kthehet në asamble. Kryetari i Akademisë së Shkencave është në krye të detyrës, është një fyerje shumë e rëndë në lidhje me atë që ju thoni për Gjinushin si një ish-politikan i dalë në pension. Kryetari i Akademisë së Shkencave është plotësisht legjitim në detyrën e tij dhe ASH është institucioni që na bën krenarë”, tha Kushi. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments