Inflacioni, i cili mat ndryshimin vjetor të çmimit të mallrave, iu rikthye rritjes në muajin maj, pasi shfaqi shenja të ndjeshme ngadalësimi për gjashtë muaj me radhë. Instituti i Statistikave publikoi sot Indeksin e Çmimeve të Konsumit, sipas të cilit ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit në muajin maj ishte 4.7 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 6.7 %. Ndryshimi mujor i çmimeve të konsumit në muajin maj 2023, krahasuar me prill 2023 është -0.3 %. Krahasuar me muajin maj 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 10 %, pasuar nga grupet “argëtim dhe kulturë” me 6.9 %, “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6.5 %, “hotele, kafene dhe restorante” me 5 %, “veshje dhe këpucë” me 4.2 %, “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4 %, “pije alkoolike dhe duhan” me 3.7 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “shërbimi arsimor” me 2.2 % secili, “shëndeti” me 1.4 % dhe “komunikimi” me 1.2 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “transporti” shënoi ulje me 12.3 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 18.3 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” që u rritën me 14.3 %, “mish” me 12.1 %, “fruta” me 12 %, “peshk” me 9.2 %, “bukë dhe drithëra” me 4.5 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4.1 %, etj. Krahasuar me muajin prill 2023, çmimet e grupeve “ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “transporti” u ulën më 1.2 % secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “argëtim dhe kulturë” u rritën me 1.2 %, pasuar nga “hotele, kafene dhe restorante” me 0.9 %, “veshje dhe këpucë” me 0.5 %, “pije alkoolike dhe duhan” dhe “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.4 % secili. atsh