Senatorët amerikanë, nga demokratët dhe republikanët, u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për qetësim të situatës në veri të vendit. Përmes një deklaratë të përbashkët, senatorja Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Thom Tillis dhe Pete Ricketts, kanë deklaruar se tensionet në pjesën veriore të Kosovës mund të dobësojë marrëdhëniet e vendeve me ShBA-të. “Si ligjvënës amerikanë, përtej linjave partiake, ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar nga situata e brishtë e sigurisë në veri të Kosovës. Sot, ne përsërisim se ka mbështetje të gjerë dypartiake në Senatin e SHBA për përpjekjet e Bashkimit Evropian, në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, për të ndërmjetësuar një rrugë përpara”, thuhet në deklaratë. Ata u kanë bërë thirrje vendeve që të punojnë me Bashkimin Evropian dhe ShBA-të për gjetjen e zgjidhjes pa vonesa. “Si kryeministri Kurti ashtu edhe presidenti Vuçiç duhet t’i dëgjojnë menjëherë thirrjet ndërkombëtare për të deeskaluar situatën, për të rikthyer besimin popullor në institucionet vendore në veri dhe për t’u angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit duke krijuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ndërsa të dy udhëheqësit konsiderojnë hapat e tyre të ardhshëm, ne i nxisim ata të zgjedhin paqen, prosperitetin dhe sigurinë e qytetarëve të tyre përkatës. Dështimi për të de-përshkallëzuar situatën do të shkaktonte pasoja nga Perëndimi, i cili ka punuar me zell për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në një rrugë përpara, dhe pa nevojë rrezikon të dobësojë marrëdhëniet tona dypalëshe”, thuhet në deklaratë. atsh
Senatorët me deklaratë të përbashkët për Kosovën dhe Serbinë
RELATED ARTICLES