Qeveria shqiptare ka nxjerrë një ditë më parë në tregjet e kapitaleve Eurobondin e gjashtë, me vlerë 600 milionë euro. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot gjatë një deklarate për mediet pas mbledhjes së qeverisë, se procedura ende nuk është mbyllur. “Pritet të mbyllet brenda kësaj jave dhe pas kësaj do të detajojmë edhe elementet e emetimit të Eurobondit në tregjet e kapitalit. Ka pasur një vlerë më të lartë sesa u parashikua në ligj. Por ligji e parashikon edhe rritjen e vlerës. Kemi gjykuar se gjendja e likuiditetit të tregjeve të kapitalit, në përputhje me nevojën për likuiditet që ka vendi, por edhe kushtet e përgjithshme ndërkombëtare të normave dhe likuiditeti e kanë lejuar këtë vlerë më të madhe të marrë. Kjo i shërben strategjisë afatmesme të menaxhimit të borxhit e miratuar nga MFE”, tha Ibrahimaj. Qeveria ka përzgjedhur kompaninë “Dechert LLP”, si konsulentin ligjor për emetimin e Eurobond-it të gjashtë që parashikohet në vitin 2023. Sipas MFE-së, kompania “Dechert LLP” ka ekspertizë në ligjin anglez dhe ligjin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për letrat me vlerë. Kjo është hera e gjashtë që vendi ynë i drejtohet tregjeve ndërkombëtare të kapitalit me instrumentin e Eurobondit. Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010 (me vlerë 300 milionë euro, maturim 5-vjeçar dhe interes 7.5 %) dhe është shlyer në vitin 2015. Eurobond-et e mëpasshme dhe të cilat janë ende aktive (të pashlyera plotësisht) janë: Eurobond-i i emetuar në vitin 2015 (me maturim 5-vjeçar), në vlerë prej 450 milionë eurosh dhe me një normë interesi 4.75 %, Eurobond-i i emetuar në vitin 2018, në vlerën prej 500 milionë euro, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3.5 %. Më 9 qershor 2020, Republika e Shqipërisë doli me sukses në tregjet ndërkombëtare me një obligacion ndërkombëtar të ri 7-vjeçar në vlerën prej 650 milion € me një kupon prej 3.5 %. Shqipëria mbylli në mesin e muajit nëntor 2021 daljen e saj të pestë në tregjet e kapitalit Eurobond-in prej 650 milionë euros me një kupon prej 3.5 % me interes 3.75 %. Gjatë emetimeve të njëpasnjëshme Shqipëria ka shënuar sukses, duke mundësuar emetime me kosto gjithnjë e më të ulëta, kjo për shkak të kredibilitetit të rritur në sytë e investitorëve. atsh
Qeveria emeton Eurobondin e gjashtë me vlerë 600 milionë euro
RELATED ARTICLES