Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (PZHKB) në Shqipëri, Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit prezantuan sot strategjinë e Ndërgjegjësimit dhe Komunikimit, si edhe Planin Kombëtar 2023-2027 për Armët e Vogla dhe të Lehta (AVL). Në kuadrin e strategjisë, në këtë veprimtari u prezantua edhe fushata e parë ndërgjegjësuese për këtë temë. Armët e vogla dhe të lehta vijojnë të paraqesin një kërcënim serioz për sigurinë publike në Shqipëri. Strategjia dhe plani i veprimit synojnë të ulin kërkesën për armë të vogla e të lehta dhe keqpërdorimin e tyre në Shqipëri, përmes një sërë veprimtarish ndërinstitucionale, të bashkërenduara dhe gjithëpërfshirëse. Po ashtu, strategjia thekson rëndësinë e përfshirjes konstruktive dhe të dialogut me publikun. Në hapje të takimit, folën zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari, kryetarja në detyrë e Prezencës së OSBE-së Clarisse Pasztory, drejtori i departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit Rebani Jaupi dhe menaxheri i programit të PZHKB-së në Shqipëri Vladimir Malkaj. Në të morën pjesë përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë për zhvillimin, Qendrës së OSBE-së për Parandalimin e Konfliktit, Pikës së Kontrollit për AVL-të në Evropën Juglindore dhe Lindore (SEESAC), organizatave të shoqërisë civile, Këshillave Vendorë për Sigurinë Publike dhe të medias. Në bashkërendim dhe duke u mbështetur tek arritjet e “Strategjisë për AVL-të, municionet dhe kontrollin e lëndëve shpërthyese”, strategjia synon të ulë kërkesën për AVL dhe keqpërdorimin e tyre në Shqipëri. Prezenca e OSBE-së e hartoi strategjinë nëpërmjet një sërë takimesh këshillimore me aktorë si Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Komisioni Kombëtar për AVL-të, organizatat e shoqërisë civile, Këshillat Vendorë për Sigurinë Publike, grupet rinore, media, SEESAC dhe PZHKB-së në Shqipëri. Strategjia u zhvillua në bazë të studimeve mbështetur te të dhënat dhe përmban praktikat më të mira rajonale dhe ndërkombëtare të ndërgjegjësimit. Ndërsa PZHKB-ja fillon zbatimin e fushatës së ndërgjegjësimit, Prezenca e OSBE-së u zotua se do të mbështetet mbi këto përpjekje duke vijuar me zbatimin e fushatave të tjera që përshkruhen në strategji. Strategjia dhe fushata e ndërgjegjësimit janë pjesë përbërëse e projekteve AVL që po zhvillohen nga Prezenca e OSBE-së dhe nga Zyra e PZHKB-së në Shqipëri në partneritet me Ministrinë e Brendshme dhe me Policinë e Shtetit. Projekti që zbatohet nga OSBE-ja financohet nga Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Franca. Projekti që zbatohet nga PZHKB-ja mundësohet falë kontributeve financiare të Gjermanisë, Suedisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Vendeve të Ulëta dhe Norvegjisë dhe lehtësohet nga Fondi i Partnerëve të Udhërrëfyesit të Kontrollit të AVL-ve në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian. Sipas Pikës së Kontrollit për AVL-të në Evropën Juglindore dhe Lindore (SEESAC), në vitin 2022, në Shqipëri, pati 430 incidente nga armët e vogla dhe të lehta, që çuan në 32 humbje jete. atsh
Prezantohet strategjia, për armë të lehta dhe keqpërdorimin e tyre
RELATED ARTICLES