Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALEEKONOMISejko: Inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2024

Sejko: Inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2024

Guvernatori Sejko prezantoi sot raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2022 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Sejko tha se, “ekonomia shqiptare është ballafaquar me një valë goditjesh komplekse e të paprecedenta gjatë viteve të fundit. Këto goditje kanë testuar qëndrueshmërinë e ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit, kanë ofruar sfida serioze për bizneset dhe familjet shqiptare, si dhe kanë kërkuar reagimin e shpejtë dhe të koordinuar të autoriteteve publike”. Sipas tij, inflacioni mesatar u rrit, nga niveli mesatar prej 2.0% në vitin 2021, në nivelin 6.7% në vitin 2022. Kjo rritje, vuri në dukje Guvernatori, u nxit fillimisht nga çmimet e huaja, por, më pas, ajo gjeti një mbështetje gjithnjë e më të madhe nga rritja e kostove të prodhimit dhe e pritjeve për inflacionin në vend. “Në këtë mjedis të ri ekonomik, në funksion të respektimit të mandatit të saj ligjor të stabilitetit të çmimeve, Banka e Shqipërisë nisi procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare. Ky normalizim u realizua nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit, nga niveli 0.5% në fillim të vitit 2022 në nivelin 2.75% në fund të tij”, deklaroi Sejko. Guvernatori i BSH-së tha se, “parashikimet tona sugjerojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2024, i ndikuar nga stabilizimi i çmimeve në tregjet globale dhe efektet e kursit normalizues të politikës monetare”. “Paralelisht me të, rritja ekonomike pritet të ruajë norma të qëndrueshme rritjeje në afatin e mesëm, pavarësisht luhatjeve afatshkurtra të pritura gjatë vitit aktual dhe atij të ardhshëm. Banka e Shqipërisë do të vijojë të përshtatë në vazhdimësi qëndrimin e politikës të saj monetare me realitetin e ri ekonomik. Ne do të kujdesemi që ky qëndrim të jetë – nga njëra anë – konsistent me respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe – nga ana tjetër – i koordinuar me kahun e politikës fiskale dhe zhvillimet në tregjet financiare”, deklaroi Guvernatori i BSH-së. Sejko risolli në vëmendje rëndësinë e vazhdimit të reformave strukturore, si një instrument i pazëvendësueshëm për të rritur potencialin e ekonomisë, për të forcuar rezistencën e saj ndaj goditjeve, si dhe për të rritur mirëqenien e shoqërisë. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments