Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se ndërkombëtarët janë duke i keqkuptuar institucionet e Kosovës në lidhje me situatën në veri të vendit. Ai e vlerësoi negative faktin që Kosova është pezulluar nga stërvitjet ushtarake “Defender Europe ‘23”, ndërsa edhe deklaratat e sekretarit amerikan Antoni Blinken i cilësoi “të këqija” për Kosovën. Ai tha se duhet të gjendet një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë. Në konferencën pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, tha se janë të brengosur me situatën në tri komunat veriore, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan ku protestues serbë duan që kryetarët e zgjedhur më 23 prill të mos shkojnë në objekte komunale dhe të tërhiqet Policia e Kosovës. Konjufca deklaroi se atje problemi po fillon edhe po përfundon me grupet e armatosura të rrezikshme të cilat po sfidojnë shtetin dhe sulmojnë zyrtarë policorë. “Kryefjala e krejt procesit është aftësia jonë, kapaciteti ynë për të kryer detyrat tona shtetërore, edhe policia, edhe institucionet e sigurisë, ashtu që të garantojnë siguri dhe qetësi në atë pjesë të vendit, siç po shihet atje problemi po fillon edhe po përfundon me grupet e armatosura të rrezikshme, të paligjshme, të cilat e sfidojnë shtetin dhe sulmojnë zyrtarë policorë, zyrtarët tanë shtetërorë, nuk ua mundësojnë atyre kryerjen e punëve e cilët e kanë me kushtetutë, prandaj mendoj se është ai obligim ynë, fokusi ynë”, deklaroi Konjufca. Në lidhje me deklaratat e sekretarit amerikan Antony Blinken se nëse nuk merren masa, raportet mes Kosovës dhe SHBA do të lëkunden, Konjufca tha se kjo është një gjë e keqe për Kosovën. “Kjo nuk është e mirë për ne, ne e pranojmë që është një gjë e keqe për Republikën e Kosovës, gjithçka që duhet të bëjmë mendoj unë ta bëjmë një dialog të hapur e të shtruar me të gjithë miqtë dhe partnerët tanë që t’i argumentojmë më mirë pozicionet tona, ndoshta pozicionet tona nuk po kuptohen drejt prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Konjufca. Kreu i Kuvendit u shpreh se janë të keqkuptuar nga kjo situatë pasi po respektojnë vetëm ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, ndërsa shtoi se duhen më shumë takime me ndërkombëtarët për të sqaruar pozicionet. atsh
Konjufca për situatën në veri: Po keqkuptohemi me ndërkombëtarët
RELATED ARTICLES