Saturday, November 23, 2024
HomeSHKENCA DHE JETAShqipëri-Mali i Zi, nxitet bashkëpunimi mes Akademive të Shkencave

Shqipëri-Mali i Zi, nxitet bashkëpunimi mes Akademive të Shkencave

 Një delegacion i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i kryesuar nga kryetari Skënder Gjinushi zhvilloi një vizitë dyditore në Podgoricë me ftesë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi (CANU).

Delegacioni i Akademisë së Shkencave së Shqipërisë u mirëprit në ndërtesën e re të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi në Podgoricë nga Dragan K. Vukčević, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi.

Vukčević përmendi në fjalën e tij angazhimet e përbashkëta akademike për një periudhë të gjatë mbi 20-vjeçare.

Vukčević propozoi një rritje të nivelit të bashkëpunimit akademik duke propozuar mbajtjen e takimeve një vjetore në Tiranë dhe Podgoricë, si dhe vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta të instituteve, njësive kërkimore shkencore dhe komisioneve të dy akademive për të hartuar projekte të përbashkëta në fushat e ekologjisë, energjisë të ripërtëritshme, pasurive ujore të përbashkëta të lumit Buna dhe liqenit të Shkodrës, arkeologjisë si dhe në fushat e tjera të dijes.

Në fjalën e tij, Gjinushi theksoi faktin se pjesëmarrja e delegacionit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi në kremtimet e 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ishte një mesazh pozitiv për forcimin e këtyre marrëdhënieve.

“Konstatoj me kënaqësi se anëtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, shkrimtari Ismail Kadare është pranuar si anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, sikurse dhe akad. Moimir Djurovic, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi është pranuar anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave e Shqipërisë”, tha ai.

Gjinushi vlerësoi nivelin e marrëdhënieve midis dy akademive dhe mirëpriti propozimin e Vukčević për organizimin e takimeve të përbashkëta një herë në 6 muaj në Tiranë dhe Podgoricë.

“Në të njëjtën kohë është i nevojshëm rinovimi i marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy akademive, të nënshkruar që në vitin 2002, dhe kalimi në një bashkëpunim të ri, më të ngushtë akademik, shoqëruar me protokolle bashkëpunimi 2-vjeçare, në fushat e dijes së albanologjisë, shkencave humane, shkencave natyrore, ekologjisë, energjisë së rinovueshme, pasurive ujore të lumit Buna dhe liqenit të Shkodrës, trashëgimisë kulturore ndërkufitare të tjetrit, arkeologji, demografi, traditat etnokulturore kufitare, art etj”, tha ai.

Ky propozim u mirëprit nga Akademia së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi dhe u ra dakord që të hartohet një draft marrëveshje e re për ta nënshkruar gjatë 18 -22 shtatorit me rastin e zhvillimit në Tiranë të Mbledhjes së Procesit të Berlinit, ku do të marrin pjesë akademitë e shkencave të rajonit.

Pikërisht në kuadër të forcimit të bashkëpunimit rajonal akademik, u ra dakord që Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe ajo e Malit të Zi të bëhen iniciatore të organizimit të takimit rajonal të Akademive të Shkencave të Europës Juglindore për të bërë të mundur, jo vetëm shkëmbimin e përvojave profesionale, por edhe bashkëpunimin akademik në hartimin e projekteve të përbashkëta në kuadër të thirrjeve dhe projekteve panevropiane.

Në kuadër të bashkëpunimit midis dy akademive Gjinushi mirëpriti ftesën e Vukčević për përfshirjen dhe kontributin e Qendrës Enciklopedike në Akademinë e Shkencave e Shqipërisë në shkrimin e zërave që i përkasin kulturës shqiptare në Enciklopedinë e Malit të Zi dhe në të njëjtën kohë ftoi Qendrën Enciklopedike në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi të kontribuojë po njëlloj në hartimin e disa zërave në Enciklopedinë shqiptare.

Në takim mes delegacioneve u ra dakord për nxitjen e bashkëpunimit në fushat e artit dhe kulturës, në organizimin e koncerteve dhe ekspozitave të përbashkëta, si dhe nxitjen e bashkëpunimit akademik në fushat e etnokulturës dhe arkeologjisë. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments