Gjatë këtij viti shkollor, një nga nismat e reja që u ndërmor në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ishte që në të gjitha shkollat të kishte miniparcela, ku nxënësit nën drejtimin e mësuesve të tyre dhe me mbështetjen e prindërve dhe komunitetit, mësojnë edhe më tepër vlerën e tokës, proceset praktike të kultivimit të qëndrueshëm të saj, por edhe të përforcojnë lidhjen e tyre me natyrën dhe të mirat që marrim nga kujdesi për të. Për të nxitur nxënësit të mësojnë vlerën e tokës, Ministria e Arsimit dhe Sportit çeli konkursin për kopshtin më të bukur. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi bëri të ditur se, në kuadër të kësaj nisme, shkollat në të gjithë vendin kanë krijuar kopshte shembull, me larmishmëri prodhimesh bujqësore, bimësh aromatike dhe dekorative. “Për të vlerësuar dhe promovuar edhe më tej këta shembuj, shpallim të hapur këtë konkurs ku janë të ftuara të marrin pjesë të gjitha shkollat për kopshtin më të bukur dhe më të mirëorganizuar”, u shpreh Kushi. Shkollat përmes drejtuesve apo mësuesve përgjegjës për këtë projekt, mund të aplikojnë duke dërguar foto gjatë punës së nxënësve me tokën, mbjelljes apo vjeljes së prodhimeve në kopshtet e tyre deri më datë 4 qershor 2023. Fotot duhet të dorëzohen në linkun: https://forms.gle/tmfoyusosnuypX667 Aplikimet më të mira do të përzgjidhen nga një komision profesionist dhe më pas fotot përkatëse do të publikohen në këtë faqe dhe do të votohen nga publiku për të shpallur edhe fituesit. atsh