Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALEKOSOVA Situatë sërish e qetë, pas trazirave në Kosovë

 Situatë sërish e qetë, pas trazirave në Kosovë

Situata ishte e qetë sot në Kosovën Veriore, të populluar nga serbët, pas përleshjeve të dhunshme të një ditë më parë, sipas raporteve të medias lokale. ”Serbë militantë në tre komuna veriore të Kosovës kishin sulmuar policët kosovarë duke u përpjekur të hynin në zyrat komunale të premten”, thanë autoritetet në Prishtinë. Serbët u përpoqën të parandalojnë që kryetarët e rinj të marrin detyrën në komunat e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut pasi banorët serbë bojkotuan zgjedhjet e tyre muajin e kaluar. Kjo uli pjesëmarrjen e votuesve në vetëm 3,5%. Kryetarët e rinj vijnë nga partitë shqiptare dhe pjesa tjetër e Kosovës është gjithashtu pothuajse ekskluzivisht e populluar me shqiptarë. Situata u përshkallëzua të premten, veçanërisht në Zveçan, duke bërë që njësitë e policisë së Kosovës të përdorin gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e zemëruar. ”Pesë policë kanë pësuar lëndime”, raportojnë autoritetet, ndërsa demonstruesit serbë u ankuan për lëndime të lehta nga gazi lotsjellës. Automjetet që i përkasin policisë së Kosovës dhe Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) janë djegur ose dëmtuar gjatë përleshjeve. Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka vënë në gatishmëri forcat e armatosura të vendit fqinj. Beogradi nuk e pranon pavarësinë e ish-krahinës së tij, të shpallur në vitin 2008 dhe po kërkon kthimin e saj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia kritikuan veprimet e policisë së Kosovës dhe u bënë thirrje autoriteteve vendore që “të tërhiqen menjëherë, situata të shpërshkallëzohet” dhe ”të koordinohen ngushtë me misionet ndërkombëtare”. “Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga Ministritë e Jashtme të pesë vendeve. Vendet shprehën gjithashtu shqetësimin për urdhrin e gatishmërisë për forcat serbe dhe u kërkuan të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje maksimale. ATSH

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments