Stërvitja “AstralKnight 23” po zhvillohet në hapësirën ajrore shqiptare, në kuadër të “Defender Europe 2023”.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ndau në rrjetet sociale momente nga kjo stërvitje ushtarake, që po zhvillohet në Shqipëri.
“Kjo është një nga tre stërvitjet që vendi ynë mirëpret në kuadër të “Defender Europe 23″ dhe bashkon njësitë e mbrojtjes ajrore nga SHBA dhe Evropa. Qëllimi është rritja e ndërveprueshmërisë dhe standardizimi i procedurave operacionale me forcat aleate”, tha Peleshi.
Shqipëria po pret për herë të dytë stërvitjen më të madhe ushtarake në Evropë, “Defender Europe 23”. Në stërvitjen, që zhvillohet nga 22 maji deri në 9 qershor, marrin pjesë rreth 17 mijë trupa shumëkombëshe, duke e bërë atë më të madhen në historinë e Shqipërisë si aleate e NATO-s.
Në Shqipëri do zhvillohen stërvitjet “Immediate Response-23”, “Saber Guardian-23” dhe “Astral Knight-23. Në këto stërvitje marrin pjesë 700 efektivë të Forcave të Armatosura.