Në muajin dhjetor të këtij viti në Kosovë do të organizohet për herë të parë Kampionati Evropian i Xhudos. Në kuadër të këtij organizimi, sot në Kosovë për vizitë qëndroi Presidenti i Federatës Evropiane të Xhudos, Lazlo Toth me ç’rast u nënshkrua edhe memorandumi i bashkëpunimit mes MKRS-së, Federatës Evropiane të Xhudos dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. Më këtë rast ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku tha se përmes këtij kampionati, Kosova do të ketë përfitime direkte në përmirësimin e infrastruktuës dhe përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. “Sukseset e xhudistëve të Kosovës nëpër botë janë të mëdha dhe emocionet që na i dhurojnë nëpër gara ka ardhur koha që edhe në shtetin tonë. Më 16 dhjetor sivjet Prishtina për herë të parë do të jetë nikoqire e kampionatit të hapur evropian të xhudos. Pra shteti ynë do ta pres një ngjarje shumë të madhe sportive në bashkëpunim me Federatën e Xhudos së Kosovës dhe me Federatën Evropiane të Xhudos…Përfitimet e Kosovës përmes këtij organizimi do të jenë direkte dhe në shumë aspekte. Përmes kësaj gare po i sjellim të paktën 40 shtete evropiane në Kosovë, po e konsolidojmë imazhin shtetëror në arenën ndërkombëtare, po e përforcojmë përkatësinë dhe identitetin shtetëror dhe po besojmë shumë që kjo ngjarje do të ketë ndikim edhe në përmirësimin e infrastrukturës fizike.”, tha Çeku. Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës Agron Kuka tha se kjo do të jetë ngjarja më e madhe që do të zhvillohet në Kosovë në këtë vit, derisa shprehu gatishmërinë që ngjarje të tilla të organizohen edhe viteve të ardhshme në Kosovë. “Fundi i vitit dhe ngjarja e këtij kampionati do të jetë si një ngjarje më e rëndësishme e vitit 2023 dhe shpresoj 2024 dh vitet në vijim do të jenë vite që do të organizojmë gara të tjera të rëndësishme në kuadër të Federatës Evropiane të Xhudos, por pse jo edhe Federatës Ndërkombëtare të Xhudos,”, tha Kuka. Presidenti i Federatës Evropianë të Xhudos Lazlo Toth tha se ndihet krenar që Kosova do të jetë organizatore ë këtij kampionati derisa ka lavdëruar xhudistët e Kosovës për sukseset e arritura në garat ndërkombëtare. “Në emër të Unionit Evropian të Xhudos, fillimisht dëshiroj të përgëzoj Federatën e Xhudos së Kosovës për rezultatet e suksesshme në Olimpiadën e fundit. Ne jemi shumë krenarë për vendin tuaj, një anëtar i Unionit Evropian të Xhudos i suksesshëm në garat ndërkombëtare. Ky është një nënshkrim për organizimin e kampionatit të parë evropian në Kosovë, nën 70 kilogramë dhe nën 57 kilogramë, që do të mbahet më 16 dhjetor. Ky është një nder dhe respekt i madh për Federatën e Xhudos së Kosovës. Jemi shumë të lumtur që mund ta mbajmë këtë garë. Jemi shumë të lumtur që do të përgatitemi bashkërisht për këtë garë, me Federatën e Xhudos së Kosovës, dhe do të doja një falënderim të veçantë për qeverinë dhe një falënderim të veçantë për Ministrinë për mbështetjen.”, tha Toth. atsh