Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEKOSOVA​Hapet biblioteka e Adem Demaçit

​Hapet biblioteka e Adem Demaçit

Në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë është hapur biblioteka e Adem Demaçit, ku i biri i tij ka deponuar një prej shkrimeve të veprimtarit të çështjes kombëtare. Aty ka marrë pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili ka bërë thirrje që të lexohen librat e Demaçit. Kreu i ekzekutivit ka thënë se kjo bibliotekë flet me fjalët e Adem Demaçit. “Qenia e kësaj biblioteke na flet me fjalët e Adem Demaçit, imagjinata është e imja, realiteti është i juaji. E me këtë, baca Adem, ose biblioteka e tij na thotë se imagjinata ka shumë forma autonome dhe të mundshme ndërsa realiteti është kombinimi i tyre kompleks në aktualitet”, ka thënë Kurti. Ai ka theksuar rëndësinë që ka leximi i librave të Demaçit, por sipas tij duhet lexuar edhe librat që veprimtari i çështjes kombëtare kishte lexuar dikur. “Populli i Adem Demaçit, populli i bacës Adem, që i përdori më së miri burgjet si bibliotekë, nuk ka se si të mos e përdorë mirë bibliotekën për një liri më të ditur. Nuk mjafton t’i lexojmë librat e bacës Adem e të mësojmë për të, por duhet të shkojmë edhe tek biblioteka Adem Demaçi dhe te Adem Demaçi si bibliotekë, të lexojmë librat e tij por edhe të lexojmë librat që ai lexoi”, ka thënë ai. Ndërsa Shqiptar Demaçi, ka lexuar idenë për lëvizjen politike, të shkruar nga babai i tij. Ai ka bërë të ditur se të njëjtën letër, me shkrimin origjinal të Adem Demaçit, do ta deponojë në bibliotekë. “Ne synojmë që në sistemin tonë politik të përfshijmë të gjitha të arriturat pozitive të deritashme të njerizimit në të gjitha fushat. 11 gusht, 2014, Prishtinë, Adem Demaçi. Kjo do të deponohet tani në bibliotekë do të mbesë aty, meqenëse është origjinali”, ka thënë i biri i Adem Demaçit. Në anën tjetër, kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare, Bardh Rugova, ka folur edhe për rëndësinë që ka aktiviteti i Javës së Bibliotekës. “Ne jemi në këtë bibliotekë këtu me mbiemrin etiketë kombëtare dhe kjo më shumë se gjithçka tjetër tregon se kemi të bëjmë me simbolin e një arkivi të dijës së këtij vendi, të trashëgimisë së dijës së Kosovës. Java e bibliotekës zakonisht shërben pjesërisht për të kremtuar këtë trashëgimi, pjesërisht, Aktivitete si kjo, si Java e Bibliotekës, më shumë se kaq, shërbejnë për të na vetëdijesuar për sistemin e vlerës së kësaj trashëgimie”, ka thënë Rugova. Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi ka bërë thirrje që të mbrohen koleksionet e trashëguara. “Ju bëj thirrje nga pozicionet tuaja që të mbrojmë pronën tonë intelektuale, dokumentet, librat dhe të gjitha koleksionet e trashëguara dhe t’i përdorim ato në mënyra që lartësojnë vlerën e kërkimit dhe cilësinë e mësimit duke avokuar për vetëdije më të lartë për këtë pasuri”, ka thënë Qerimi. Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka hapur edicionin e 20 të Javës së Bibliotekës. Aktivitetet do zgjasin deri me 28 maj ku do të ketë ligjërata e diskutime me temën “Biblioteka dhe shërbimi i referencave”. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments