Nëse trashëgon një pronë apo një dhurim, ligji i ri “Për Tatimin mbi të Ardhurat” zgjeron fashën e përjashtimeve nga tatimi mbi trashëgimitë dhe dhurimet, në ndryshim nga ligji ekzistues i vitit 1998. Televizioni publik bën të njohur formulën e re të përjashtimit nga ky tatim.
Trashëgimi i një prone, kalimi i të drejtës së pronësisë apo dhurimet e përfituara nëpërmjet trashëgimtarëve ligjorë, kanë qenë objekt i ligjit tatimor , duke filluar nga vitit 1998. Qeveria ka ndryshuar këtë ligj me argumentimin se “në këto 23 vjet të zbatimit të tij, ligjit i janë bërë dhjetëra amendime, të cilat e kanë bërë të vështirë referimin dhe interpretimin e tij”. Neni 60 i ligjit të ri përcakton, ndër të tjera, dispozitat mbi tatimin e trashëgimisë dhe dhuratave.
Në këtë nen thuhet se ligji aplikohet ndaj personave fizikë dhe entiteteve që janë:
- a) rezidentë në Republikën e Shqipërisë, të cilët marrin një dhuratë ose
trashëgimi të aseteve të ndodhura në Shqipëri ose jashtë saj, … dhe
- b) jorezidentë në Republikën e Shqipërisë që marrin një dhuratë ose
trashëgimi të aseteve të ndodhura në Shqipëri….
Ndryshimi ka të bëjë edhe me trashëgimi të pasurisë të marrë nga jashtë vendit, që do të tatohet tashmë. Ligji saktëson se “dhuratat përfshijnë pasurinë e luajtshme ose të paluajtshme… dhe se trashëgimia përfshin pasurinë e luajtshme ose të paluajtshme …si rezultat i kalimit për shkak të vdekjes nga personi i vdekur tek trashëgimtarët e tyre.
Ja cfarë thotë ligji i 1998:
Ligji i vitit 1998 “Për Tatimin mbi të ardhurat”, neni 8/1:
Përjashtohen nga tatimi:
Pika 7) Rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë brenda lidhjes gjinore burrë, grua, fëmijë, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur pasuria rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar.
Pika 11) Kalimi i së drejtës së pronësisë për banesën dhe/ose truallin, brenda lidhjes gjinore në familje, bashkëshort, bashkëshorte, fëmijë, vetëm një herë ndaj një përfituesi, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria.
Ndërsa ndryshimi i vitit 2023 ka sjellë këtë formulim
Ligji i ri 29/2023 “Për Tatimin mbi të ardhurat”, neni 60:
Përjashtohen nga tatimi i trashëgimisë, dhuratave:
- a) dhurimet dhe trashëgimia e përfituar nga/ose ndërmjet trashëgimtarëve ligjorë në radhë të parë dhe të dytë, sipas neneve 361 deri 363 të Kodit Civil, si dhe dhurimet dhe trashëgimia brenda lidhjes gjinore motër-vëlla;
- b) dhurimet dhe trashëgimitë të marra përveç atyre të përcaktuara në shkronjën “a” deri në 5 000 000 lekë për tatimpagues për pasuritë e paluajtshme dhe deri në 1 000 000 lekë për pasuritë e luajtshme për tatimpagues;
- c) kalimi i së drejtës së pronësisë trashëgimtarëve ligjorë sipas neneve 361 deri 363 të Kodit Civil, përkatësisht nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur prona rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, i ndryshuar.
Ky ndryshim siguron se me ligjin e ri zgjerohet fasha e përjashtimeve nga tatimi mbi trashëgimitë dhe dhurimet, pra kur dhuron pasuri të paluajtshme deri 5 milionë lekë dhe pasuri të luajtshme deri në 1 milion lekë, nuk paguan tatim mbi normën e tatimit për trashëgimitë dhe dhuratat, prej 15 %.