Me rastin e organizimeve për përkujtimin e 50-vjetorit të Revoltës së Burgut të Spaçit, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në datën 21 maj 2023 organizoi një pelegrinazh, i cili nisi në kilometrin e fundit të rrugës, në hyrje të ish-burgut të Spaçit dhe u përmbyll në ambientet e ish-burgut. Pelegrinazhit iu bashkua Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë, Arqipeshkivi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, përfaqësues të pushtetit lokal dhe të trupit diplomatik, ish-të përndjekur politikë dhe organizatat që veprojnë në fushën e kujtesës. Gjatë rrugëtimit, Autoriteti shpalosi instalacionin artistik “Gjurmë qëndrese dhe solidariteti”, me 10 silueta njerëzore, në shenjë kujtimi dhe përjetimi të dhimbjes, vuajtjes dhe qëndresës që kalonin çdo ditë gratë, fëmijët dhe familjarët e të dënuarve. Kryetarja e Autoritetit Dr.Gentiana Sula me këtë rast tha: “Ata i qëndruan pranë familjarëve të tyre edhe në ditët me të errëta, pavarësisht stigmës, përjashtimit dhe kostove personale. Instalacioni synon njohje, nderim e vlerësim për humanizmin e tyre dhe reflektim për një shoqëri me njerëzore. Kjo është një ngjarje që bashkon njerëzit për të nderuar ata që kanë humbur, të gjejnë ngushëllim dhe mbështetje tek njëri-tjetri, si dhe të zhvillojnë një ndjenjë solidariteti që na ndihmon të punojnë së bashku për t’u rikuperuar dhe rindërtuar.” Ky organizim i Autoritetit ishte pjesë e programit të ceremonisë që Dioqeza Rëshen dhe Bashkia Mirditë mbajti në bashkëpunim me institucionet dhe organizata që angazhohen në fushën e kujtesës historike me rastin e përkujtimit të revoltës së të burgosurve politik të Spaçit, 21 maj 1973. atsh