Gjithçka gati për seleksionimin e parë që organizon Federata Shqiptare e Futbollit me futbollistët e rinj shqiptarë, djem e vajza, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prej disa muajsh Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF në bashkëpunim edhe Drejtorinë Teknike dhe skautët e FSHF në SHBA kanë punuar për të afruar sa më shumë futbollistë në këtë seleksionim, që do të zhvillohet në datat 20 dhe 21 maj 2023 në zonën e Nju Xhersit. Aplikimet janë hapur që në fillim të muajit shkurt dhe deri më tani janë regjistruar 126 futbollistë, djem e vajza, të vitlindjeve 2005, 2006, 2007, 2008 dhe 2009. Të pranishëm në këtë seleksionim do të jenë drejtori teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, zv/trajneri i Kombëtares A, Hamdi Salihi, përgjegjësi për futbollin e vajzave në FSHF, Florian Riza dhe ish-kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli, i cili ka mbështetur këtë iniciativë e që jeton e punon në SHBA prej vitesh. Departamenti i Ekipeve Kombëtare ka mbledhur tashmë të gjitha dhënat e nevojshme dhe ka përpiluar listat të futbollistëve dhe futbollisteve që do të marrin pjesë në këtë seleksionim, që zhvillohet për herë të parë në Amerikën e Veriut, ku ka një komunitet të madh shqiptarësh. Të gjithë ata që kanë aplikuar janë njoftuar tashmë për vendin dhe oraret kur do të zhvillohen seleksionimet, që është një mundësi shumë e mirë për të zbuluar talente të reja. Njëkohësisht u jepet shansi shumë të rinjve që të tregojnë vlerat e tyre para ekspertëve të FSHF-së. Kjo nisëm e FSHF-së vjen si një rrjedhojë e kërkesave të komunitetit shqiptar në SHBA dhe rritjes së numrit të lojtarëve të perspektivës që jetojnë atje, djem e vajza, të cilët duan të provojnë shanset për të luajtur me ekipet Kombëtare të Shqipërisë. Synimi kryesor i seleksionimit është për të krijuar një ide më të qartë për elementët që duhen mbajtur në vëzhgim dhe me synimin për të afruar lojtarë të rinj në ekipet kombëtare të moshave. atsh