Një skulpturë e re e titulluar “Rrënjët” është vendosur në një nga hapësirat e shëtitores “Taulantia”. Kjo skulpturë e derdhur në bronz është realizuar nga skulptori i mirënjohur Adrian Dule dhe i është dhuruar qytetit të Durrësit. Kuptimi parësor i kësaj skulpture, sipas autorit të veprës, janë rrënjët që zgjaten nga toka në det ashtu siç është vetë qyteti, i cili është i lidhur përjetësisht me detin. Nga ana tjetër, simbolika e kësaj skulpture flet për lidhjen e bashkatdhetarëve tanë me vendin e tyre. Për këtë arsye kjo vepër arti është vendosur në afërsi të monumentit përkujtimor të eksodit të vitit 1991, ku mijëra shqiptarë emigruan jashtë atdheut, por duke qëndruar të lidhur fort me rrënjët e tyre në Shqipëri.