Nën moton Your Skills Your Future, Java e Evropës 2023 do të nisë një udhëtim emocionues nëpër Shqipëri, për të treguar rininë e talentuar të vendit. Duke qenë se ky është Viti Evropian i Aftësive, ne do të theksojmë rëndësinë e zhvillimit të aftësive, duke nxjerrë në pah arritjet e të rinjve që kanë ecur përpara me mbështetjen e BE-së. Java e Evropës këtë vit ndalon në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Cërrik, Dibër, Korçë dhe Gjirokastër. Java e Evropës 2023 do të nisë në Tiranë, më 16 maj, me përurimin e mozaikut në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, i restauruar falë programit “BE për Kulturën”. Përpara ceremonisë së inaugurimit, në sheshin “Skënderbej” do të zhvillohet një performancë e veçantë kërcimi me koreografi nga Enada dhe Gerd Vaso. Mbrëmja do të vazhdojë me një koncert. Kamela Islamaj, Orgesa Zaimi, Gjerg Kaçinari dhe Sardi Strugaj do të sigurohen që të kalojmë një mbrëmje të mrekullueshme. Udhëtimi vazhdon në disa nga qytetet më të shquara të Shqipërisë, ku talentet vendase kanë lulëzuar me mbështetjen e BE-së. Në Dibër, më 18 maj, do të promovojmë produktet vendase, potencialin turistik të rajonit dhe në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë do të organizojmë një koncert nga trio austriake Alicia Edelweiss. Shkodra, me historinë e saj të pasur dhe trashëgiminë artistike, do të jetë ndalesa e radhës e Javës së Evropës 2023, më 19 maj, me Festivalin autentik të Xhubletës. Prodhues të elementëve të ndryshëm të xhubletës do të tregojnë aftësitë e tyre para të rinjve. Një ekspozitë e fotografit Roland Tasho, ku shfaqen personalitete të veshura me xhubleta, një paradë me këtë veshje shekullore dhe një performancë e Ansamblit të Shkodrës me vallen e xhubletës do të mbyllin festimet. Në Vlorë (21 maj), e njohur për bregdetin e saj mahnitës, do të theksojmë ndikimin pozitiv të investimeve të BE-së në infrastrukturën e qytetit dhe aftësitë e kërkuara që të mund të ofrojnë shërbimin më të mirë të mundshëm për turistët e shumtë që vizitojnë rajonin. Gurgdhendësi Ermal Makri në Gjirokastër do t’u tregojë të rinjve, përmes një klase master, se si të bëjnë art me gurë dhe të mbajnë gjallë traditën e lashtë familjare (më 22 maj). Në Korçë (23 maj), do të kombinojmë aftësitë novatore digjitale me artizanatin tradicional. Festimet e Javës së Evropës 2023 do t’i mbyllim në Tiranë, më 26 maj, me një panair digjital dhe një koncert festiv në Universitetin Politeknik.