Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton sot klerikun dhe martirin e kishës katolike, Dom Dedë Malaj i pushkatuar në 12 maj të vitit 1959. Lindi në 21 nëntor 1916, në Malkolaj të Velipojës. Mësimet i mori në Seminarin Papnuer në Shkodër dhe më pas vazhdoi studimet e mëtejshme në Itali. U shugurua meshtar në kishën e Kolegit Urban në Castel Gandolfo të Romës më 1942. Kthehet në Shqipëri dhe shërben si famullitar në zonën e Dajçit në Bregun e Bunës e më pas në Malkolaj. U arrestua për herë të parë në vitin 1948 pasi nuk firmosi Statutin e ri të Kishës Katolike që ishte miratuar nga autoritetet shtetërore. Lirohet pas disa muajsh për t’u arrestuar sërish më 1958. I akuzuar për “tradhti ndaj atdheut” dhe “agjitacion e propagandë”, dënohet me vdekje nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, pas mbrojtjes së guximshme që i bëri besimit katolik në seancën gjyqësore dhe deklarimit hapur të gjendjes së vështirë ku ndodhej vendi, duke bërë me faj qeverinë komuniste. Pushkatohet më 12 maj 1959. Është shpallur i lum më 5 nëntor 2016 në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër. atsh