Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj prezantoi sot planin e masave në mbështetje të kompanive eksportuese, në kushtet e emergjencës së efekteve nga zhvlerësimi i euros. Në një deklaratë për mediet, në prani edhe të përfaqësuesve të kompanive të eksportit, Ibrahimaj deklaroi se, qeveria do të miratojë një Akt Normativ, përmes së cilit do të vendoset ngurtësimi i parapagimit të kësteve të tatimfitimit për kompanitë që eksportojnë më shumë se 70 % të prodhimit të tyre. Tjetër masë që do të ndërmerret nga qeveria në mbështetje të eksportuesve është rimbursimi i TVSH brenda 3 ditëve, kërkesë kjo edhe e eksportuesve. “Rimbursimi i TVSH-së, që merret nga eksportuesit pranë Administratës Tatimore, i cili në bazë të vendimeve dhe udhëzimeve, ka afat 30-ditor nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim, do të kryhet në një afat të shpejtë, brenda 3 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. Kjo për kompanitë që eksportojnë mbi 70 % të prodhimit të tyre”, u shpreh ministrja. “Disa masa të paraqitura nga Shoqata e Bankave lidhen me krijimin e mundësive dhe për të pasur më shumë likuiditet, siç mund të jetë ristrukturimi i kredive, me qëllim që maturiteti i kredive të rritet dhe kostot e bizneseve të ulen të paktën në afatshkurtër. Ndërkohë që një tjetër instrument i dobishëm mund të ishte dhe lidhja e kontratave “forward” ndërmjet bizneseve dhe bankave, për të pasur njëlloj sigurie mbi ndryshimet e kursit të këmbimit në të ardhmen, për kontratat që do të lidhen. Këto dhe të tjerë instrumente do të diskutohen në takimet teknike në vijim”, tha Ibrahimaj.atsh
Ngrirje e kësteve të tatimfitimit dhe rimbursim brenda 3 ditësh i TVSH-së për eksportuesit
RELATED ARTICLES