Një delegacion prej 16 anëtarësh nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës do të kryejë një mision vëzhgimi të zgjedhjeve nga data 12 deri më 15 maj, për zgjedhjet për kryetarë bashkie dhe këshilltarë vendorë në 61 bashkitë e Shqipërisë, më 14 maj 2023. Para ditës së zgjedhjeve, delegacioni i kryesuar nga Stewart Dickson (Britania e Madhe, ILDG), do të takohet me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), anëtarë të trupit diplomatik si dhe me përfaqësues të partive politike dhe kandidatëve në zgjedhje. Gjithashtu janë planifikuar edhe informime të përbashkëta me Ekipin Bazë të OSBE/ODIHR, ndërsa delegacioni do të shkëmbejë mendime me OJQ vendase dhe ndërkombëtare dhe përfaqësues të medies. Në ditën e zgjedhjeve, 10 ekipe të Kongresit do të vendosen në Tiranë dhe në të gjithë vendin për të monitoruar procedurat zgjedhore në qendrat e votimit. Konkluzionet paraprake do të prezantohen në një konferencë të përbashkët shtypi me OSBE/ODIHR dhe Parlamentin Evropian, e cila do të zhvillohet në Tiranë, më 15 maj 2023 në orën 15:00. Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale ka marrë pjesë në misionet vëzhguese për zgjedhjet lokale në 46 vendet anëtare të Këshillit të Evropës dhe, ndonjëherë edhe më tej, që nga viti 1990 dhe ka kryer pothuajse 115 misione vëzhgimi të zgjedhjeve deri më sot. Vëzhgimi i zgjedhjeve vendore është një nga prioritetet e veprimit të Kongresit. Ky aktivitet plotëson monitorimin politik të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, e cila përbën gur themelin e demokracisë lokale në Evropë. atsh
KiE, delegacion për vëzhgimin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri
RELATED ARTICLES