Shqipëria është shfaqur si një histori suksesi të papritur që nga fillimi i krizës ekonomike mbarëevropiane, e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022, shkruan Clare Nuttall për intellinews.com. ”Vendi kishte një nga normat më të ulëta të inflacionit në rajon në vitin 2022, leku është në nivele rekord të larta kundrejt euros dhe parashikimet tregojnë se Shqipëria do të jetë ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë gjatë tre viteve të ardhshme. Ashtu si pjesa tjetër e rajonit, Shqipëria pret një ngadalësim në vitin 2023, pasi inflacioni po ndikon në ekonomitë ndërkombëtare. Megjithatë, pritet të ruajë një rritje që është dukshëm përpara mesatares për Evropën Qendrore dhe Juglindore. Kjo vjen pas një viti 2022 më të mirë se sa pritej, kur vendi arriti rritje ekonomike prej 4,8% në 2022. Kështu qeveria ka ruajtur parashikimin e rritjes së PBB-së për vitin 2023 në 2,6%. Ndërkohë, Banka Botërore parashikon rritje prej 2,8% në vitin 2023, duke u përshpejtuar në 3,3% në secilin nga dy vitet e ardhshme. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka ulur parashikimin e tij në 2,3% për këtë vit në Perspektivën e fundit Ekonomike Botërore (WEO), të publikuar më 12 prill, duke parashikuar se vendi do të vazhdojë të ndikohet negativisht nga kriza ekonomike globale e shkaktuar nga lufta ruse në Ukrainë. Vitin e ardhshëm, FMN-ja e sheh ekonominë në rritje me 3,3%, ndërsa në vitin 2028 projeksioni është për rritje ekonomike 3,4%. Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIIW) e vendos Shqipërinë në mesin e tre vendeve me rritjen më të shpejtë nga 23 vendet që vlerëson nga Evropa Qendrore, Juglindore dhe Lindore dhe Azia Qendrore. Rritja në Shqipëri, së bashku me ekonomitë e tjera të Evropës Juglindore, Kosovën dhe Rumaninë, do të tejkalojë vazhdimisht atë në rajonin e gjerë, sipas WIIW. Ai parashikoi rritjen e Shqipërisë në 3,3% në 2023, 3,8% në 2024 dhe 4,0% në 2025. “Performuesit e vërtetë, historitë vërtet të forta janë kryesisht në Evropën Juglindore, gjë që sigurisht nuk është gjithmonë kështu,” komentoi Richard Grieveson, zëvendësdrejtor i WIIW, gjatë një webinari për të paraqitur parashikimin e pranverës të institutit.
Shqipëria,përballë krizës ekonomike panevropiane
RELATED ARTICLES