Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIFondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme

Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme

Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u shtua me 896.2 milionë lekë nga arkëtimi i kontributit vjetor të bankave, në fillim të muajit prill 2023, bëri të ditur sot Banka e Shqipërisë. Sipas BSH-së, në total, pas derdhjes së kontributit vjetor të bankave për gjashtë vite që nga themelimi i tij, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme arrin në nivelin 4.457 miliardë lekë. Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u krijua në vitin 2018, për qëllime të zbatimit të instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë. Në zbatim të ligjit nr.133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, fondi duhet të arrijë nivelin e synuar prej 0.5% të totalit të detyrimeve të sistemit bankar, të llogaritur si diferencë midis aktiveve totale dhe kapitalit rregullator të të gjitha bankave të licencuara në Republikën e Shqipërisë, brenda 10 viteve nga hyrja në fuqi e ligjit. Bankat paguajnë kontribute të rregullta vjetore, me qëllim plotësimin e nivelit të synuar të fondit. Sipas afatit të përcaktuar në ligj, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme duhet të arrijë vlerën 8 miliardë lekë brenda vitit 2027. Për plotësimin e këtij niveli të synuar, gjatë vitit 2023, kontributi vjetor i sektorit bankar u përllogarit në vlerën 896.2 milionë lekë. Pas mbledhjes së kontributit për vitin e gjashtë, në fund të muajit prill 2023, mjetet financiare të fondit arritën nivelin e 4.457 miliardë lekëve, si rezultat i kontributeve vjetore të bankave të mbledhura në gjashtë vite (2018-2023). Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare të fondit, të miratuar nga Banka e Shqipërisë. Ky fond mund të përdoret nga Banka e Shqipërisë për disa qëllime, të tilla si: garantimi i aktiveve ose pasiveve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; plotësimi i nevojës për likuiditet të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; blerja e aktiveve të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, për të kontribuuar në kapital dhe për të siguruar fondet e tjera të nevojshme për bankën urë apo shoqërinë për administrimin e aktiveve; kompensimi i humbjeve të pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme; mbulimi i shpenzimeve për administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme etj.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments