Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREScholz: Kenia një vend frymëzues i klimës

Scholz: Kenia një vend frymëzues i klimës

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Afrikë, kancelari gjerman Olaf Scholz falënderoi Kenian, partnerin kryesor të Gjermanisë në Afrikën Lindore, për përpjekjet e saj në luftën kundër ndryshimeve klimatike. “Kenia është një kampion frymëzues i klimës”, tha sot Scholz në Najrobi pas takimit me presidentin kenian, William Ruto. “Gjermania dhe Kenia janë të bashkuara në përpjekjet e tyre për të luftuar krizën klimatike”, tha udhëheqësi gjerman. Kenia tha se ka planifikuar të kalojë në energjinë e rinovueshme që në vitin 2030. Ruto gjithashtu njoftoi synimin e tij për t’u bashkuar me të ashtuquajturin ‘Klubin Ndërkombëtar të Klimës’, një koncept i udhëhequr nga grupi G7 i vendeve të industrializuara. Klubi i klimës është një instrument financiar, i cili ofron stimuj për vendet që pranojnë standarde të përbashkëta të emetimeve, të ngjashme me tregun e vetëm evropian, i cili harmonizon standardet e tregtisë. Scholz e inicioi projektin në fillim të presidencës gjermane të G7 në 2022. Kenia konsiderohet një pionier në tranzicionin energjetik, me vlerësime të ndryshme që tregojnë se vendi prodhon midis 80% dhe 92% të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, duke e vendosur atë në vendin e tretë në të gjithë botën. Megjithatë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Rinovueshme, Kenia, me popullsinë e saj prej rreth 53 milionë banorësh, prodhon rreth 12 gigavat orë (GWh) energji elektrike, ndërsa Gjermania, e cila është më e industrializuar dhe ka 84 milionë banorë, prodhon pothuajse 50 herë më shumë. Të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, ndërsa Ruto bëri thirrje edhe një herë për një fund paqësor të konfliktit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments