Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka pranuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të prezantuar nga ekipi menaxhues. Pas takimit me Kurtin në Bruksel, Vuçiç para gazetarëve tha se, për palën e Kosovës draft-statuti ka qenë i papranueshëm. “Për ta është e papranueshme dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën, sepse ata nuk dëshirojnë një Republikë Serbe edhe pse sipas të gjitha pikave të statutit kërkohet qartë në bazë të marrëveshjeve të më hershme dhe pikave të marrëveshjes së 2015-es. S’ka asnjë pikë që nuk është nënshkruar dhe marrë vesh më parë”, tha ai. Në lidhje me situatën në veri pas zgjedhjeve të 23 prillit, Vuçiç deklaroi se, Bashkimi Evropian ka shpalosur një propozim, të cilën ai e ka pranuar menjëherë, por Kosova do ta shqyrtojë dhe uron të ketë një përgjigje deri në takimin e ardhshëm që pritet të mbahet me gjasë brenda këtij muaji. Në lidhje me Deklaratën për Personat e Zhdukur, Vuçiç tha se, do të jenë bashkëpunues dhe presin që edhe Kosova të dëshmojë të njëjtën vullnet. atsh