Në Regensburg të Gjermanisë u mbajt forumi i parë i projektit SeeField, një projekt 7-vjeçar, që drejtohet nga një grup pune i Universitetit të Regensburgut. Në këtë takim morën pjesë prof. dr. Nebi Bardhoshi dhe prof. asoc. dr. Mikaela Minga, përfaqësues të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (Akademia e Studimeve Albanologjike). Pjesëmarrës ishin përfaqësues të mbi 19 institucioneve të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor nga vendet e Europës Juglindore, Anglia, Kanadaja dhe Kina. Synimi kryesor i këtij projekti është promovimi i studimeve rajonale të Europës Juglindore. Ndër risitë kryesore të kësaj sipërmarrjeje është vendosja në qendër të vëmendjes e studimeve shqiptare. Rrallë ndodh në studimet ndërkombëtare të këtij niveli të jetë folur aq gjatë dhe me qëllim zhvillimin në të ardhmen e studimeve shqiptare, siç ndodhi në këtë forum. Lajmi i mirë që dha ky forum është përzgjedhja e Ledio Hala si lektor të gjuhës shqipe në Universitetin e Regensburgut. Forumi u mbajt në katër seanca kryesore. Në seancën e parë u prezantua projekti dhe qëllimi i tij dhe secili institucion prezantoi strukturën organizative, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe projektet kërkimore. Në seancën e dytë, u diskutua çështja se si janë ndikuar studimet në zonën e Europës Juglindore nga lufta e Ukrainës. Në seancën e tretë u diskutua gjendja dhe qasjet studimore rajonale, parë nga brenda dhe jashtë rajonit. Në seancën e katërt u fol për hapat e mëtejshme të projektit, fokusuar në mënyrën e organizimit të bashkësisë së profesoriatit dhe studentëve, e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe e transferimit të dijës. Gjatë këtyre 6 viteve do të ketë zhvillime të reja në botën universitare dhe shkencore në rajon, ku SeeField do të luajë një rol themelor dhe ku studimet shqiptare do të marrin një peshë specifike në këtë kontekst.atsh
Forumi SeeField, vëmendje ndaj Akademisë së Studimeve Albanologjike
RELATED ARTICLES