Shërbimi sekret amerikan vlerëson se më shumë se 20 000 ushtarë rusë janë vrarë në betejën për qytetin ukrainas Bakhmut vetëm që nga dhjetori, deklaroi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë të SHBA-së, John Kirby. ”Rreth gjysma e tyre i përkisnin forcës mercenare ruse ‘Wagner’. Shumica prej tyre, ishin të burgosur rusë që janë hedhur në luftime (…) pa trajnim të mjaftueshëm luftarak”, theksoi Kirby. Nuk u dhanë shifra për ata nga pala ukrainase. Shifrat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Kirby tha se kishte “shumë pak vlerë strategjike” për Rusinë rimarrja e qytetit të diskutueshëm të Bakhmutit. ”Për Rusinë, kjo përpjekje, veçanërisht në Bakhmut, ka ardhur me një kosto tmerrësisht të lartë”, theksoi Kirby, duke iu referuar numrit të madh të viktimave. atsh