“Epiri i Veriut”, roli i Federatës “Vatra”

0
1

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtoi sot 2 majin e vitit 1919, vit në të cilin u kërkua bashkimi i të ashtuquajturit “Epiri i Veriut” me Greqinë. Kjo kërkesë u paraqit prej Nikolas Kasavetes, Sekretarit të Bashkimit Pan-Epirot të Amerikës, pranë Konferencës së Paqes në Paris. Dokumenti ishte nënshkruar prej 1756 personash, të cilët thuhej se ishin nga Korça dhe Gjirokastra. Përmes këtij dokumenti, Bashkimi Pan-Epirot synonte të ndikonte pranë Konferencës së Paqes për t’i marrë Shqipërisë dhe ato pak troje që Greqia nuk kishte mundur t’ia shkëpuste pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, e cila në dokumentin Pan-Epirot cilësohej si “organizatë e kontrolluar vetëm nga myslimanë shqiptarë”, u përgjigj menjëherë me një kundërdeklaratë të nënshkruar nga 3255 shqiptarë të krishterë nga Korça dhe Gjirokastra, të cilët kundërshtonin një bashkim të mundshëm me Greqinë. Pak ditë më vonë, më 14 maj 1919, Komisioni i Konferencën e Paqes, i ngarkuar për të shqyrtuar pretendimet greke hoqi dorë nga çështja, në pamundësi për të arritur marrëveshje të njëzëshme. Kundërveprimi i Vatrës, në kohën, vendin dhe me fuqinë e duhur, solli sukses. atsh