Antikiteti u ul këmbëkryq në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, me çeljen e siparit të premierës unike “Samson et Dalila”. Edhe nata e dytë e shfaqjes ishte e suksesshme, nën notat e mezo-sopranos, Vikena Kamenica, e cila solli hijeshinë e Dalilës, tenorit Dario Di Vietri që erdhi me rolin e udhëheqësit të guximshëm, Samson, dhe baritonit Armando Likaj, i veshur me rolin e Priftit të Perëndisë së Dagonit. Këngëtarët lirikë u shoqëruan nga Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOB-së, me pjesëmarrjen edhe të Konservatorit të Salernos “Giuseppe Martucci”. Opera “Samson et Dalila” erdhi sipas konceptit regjisorial të Paul-Emile Fourny dhe dirigjimin orkestral të Marco Attura. “Samson et Dalila” e kompozitorit francez Charles-Camille Saint-Saëns, të epokës romantike, do të vihet në skenë sërish më 28 prill. “Samsoni dhe Dalila” vjen si një produksion tërësisht i ri që kthen pas në kohë, brenda tempujve të Filistinëve, me skenat e gjuhës simbolike monumentale dhe kostume tërësisht të veçanta. atsh