“Zhvlerësimi i euros dhe forcimi i lekut është i lidhur me hyrjet e të ardhurave që kemi pasur gjatë vitit 2022. Kemi pasur gjatë vitit 2022 një sezon turistik të lartë dhe me një fluks turistësh që ka qenë më i larti i të gjitha kohërave. Kjo ka bërë që hyrjet e kapitalit të jenë më të larta dhe kjo është reflektuar në bilancin e pagesave. Nga ana tjetër edhe investimet e huaja direkte neto janë rritur dhe kjo ka qenë një tjetër arsye që ka ndikuar në vlerësimin e monedhës vendase dhe në zhvlerësimin e euros. Pra flukset hyrëse të monedhës kanë qenë në rritje të ndikuara dhe nga rritja e turizmit, investimeve të huaja direkte, por dhe nga rritja e remitancave”, deklaroi Ibrahimaj, në një deklaratë për mediet, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
“Kursi i këmbimit i lirë në krizat e njëpasnjëshme që na është dashur të kalojmë ka qenë element kyç për ekonominë shqiptare, pasi është stabilizues i të gjitha goditjeve që kemi pasur. Nëse do të shikojmë performancën e ekonomisë shqiptare me atë të Maqedonisë së Veriut, Shqipëria ka një performancë shumë të mirë dhe një nga elementët ka qenë pikërisht tregu i lirë. Por, ne po analizojmë me shumë kujdes ndikimet. Nuk preken vetëm kompanitë eksportuese, por edhe ato investuese që kanë kredi në euro. Ka një sërë kompanish të tjera që operojnë në treg dhe i kanë kreditë në lekë“, deklaroi Rama.