Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) e vijoi fushatën kombëtare për sigurinë ushqimore me një takim me të rinj të kryeqytetit. Nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme “Ismail Qemali” në Tiranë, u njohën me elementet dhe këshillat rreth sigurisë ushqimore. Interesi i nxënësve ishte i lartë duke drejtuar pyetje të ndryshme specialistëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Drejtoresha e përgjithshme e AKU-së, Jeta Deda u shpreh për një angazhim të përgjithshëm nga të gjitha strukturat e linjës në shkallë vendi për rritjen e sigurisë ushqimore, teksa veçoi se, vëmendja e shtuar për sigurinë ushqimore po i kushtohet edhe ndërgjegjësimit të të rinjve për një ushqim të shëndetshëm. “Jemi besimplotë se fushata e ndërgjegjësimit do t’ia arrijë qëllimit të saj, në sensibilizimin e brezave të rinj mbi sigurinë ushqimore”, tha Deda. Gjatë bashkëbisedimit me ekspertët e ushqimit, të rinjtë treguan interes mbi rolin dhe misionin e AKU-së, përgjegjësitë e operatorëve të biznesit ushqimor në lidhje me sigurinë e produkteve ushqimore. AKU në fund të këtij procesi, pati kënaqësinë që të rinjve të “Ismail Qemalit” t’iu ndante certifikata si “Ambasadorë të sigurisë ushqimore”.
Siguria ushqimore, AKU me të rinjtë në kryeqytet
RELATED ARTICLES