Rusia ka planifikuar të dëbojë mbi 20 diplomatë gjermanë, njoftoi sot zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova për transmetuesin shtetëror Zvezda, i cili operohet nga Ministria e Mbrojtjes. Njoftimi vjen pas raportimeve nga Ministria e Jashtme në Moskë, se Berlini vendosi të kryente dëbime masive të diplomatëve rusë. Megjithatë, nuk është ende e qartë se sa diplomatë rusë u dëbuan dhe sa prej tyre janë larguar tashmë nga vendi. Ministria e Jashtme gjermane fillimisht konfirmoi se Berlini kishte zhvilluar bisedime me Moskën për praninë e stafit në misionet përkatëse jashtë vendit, me synimin për të reduktuar praninë e shërbimeve sekrete ruse në Gjermani. “Largimi i personelit të ambasadës ruse sot, lidhet me këtë”, tha ministria gjermane. Zakharova njoftoi se Moska do t’i përgjigjet njëlloj dëbimit masiv të diplomatëve rusë nga Gjermania, duke thënë se ishte Berlini ai që kishte ndërmarrë hapin e parë armiqësor. Gjermania dhe Rusia kanë dëbuar në mënyrë të përsëritur diplomatët e vendeve të tyre gjatë tensioneve në rritje në të kaluarën, që do të thotë se niveli i personelit në institucionet përkatëse diplomatike është tashmë mjaft i reduktuar. Situata u përkeqësua ndjeshëm pas fillimit të luftës ruse kundër Ukrainës.