Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEFestohet Fitër Bajrami, besimtarët myslimanë falin namazin në sheshin “Skënderbej”

Festohet Fitër Bajrami, besimtarët myslimanë falin namazin në sheshin “Skënderbej”

Besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajramin pas 30 ditëve agjërim dhe falje. Një orë pas lindjes se diellit besimtarët myslimanë falën Namazin. Që në orët e para të mëngjesit, besimtarë të shumtë falën Namazin e Fiter Bajramit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, që njihet ndryshe edhe si festa e mbylljes së agjërimit. Ceremonia vazhdoi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i cili përcolli për të pranishmit urimet dhe përshëndetjet e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë. Kreu i KMSH-së Bujar Spahiu në fjalën e tij iu drejtua besimtarëve duke iu thënë se kishin jetuar një muaj sakrifice dhe ngritjeje shpirtërore dhe se ky muaj i ka bashkuar në bamirësi e solidaritet, në paqe e dashuri me njëri-tjetrin. “Të dashur agjërues, Mëngjesi i kësaj dite është më i bukuri e më kuptimploti për të gjithë ne. Kemi Bajram dhe kjo na qëllon në ditën më të bukur të javës, ditë bajrami e xhumaje. Kemi përjetuar një muaj sakrifice dhe ngritje shpirtërore, e lusim Zotin të na ketë pranuar këtë sakrificë, Ai është shpërblyesi më i mirë. Ky muaj na ka bashkuar në bamirësi e solidaritet, në paqe e dashuri me njëri-tjetrin”, u shpreh Spahiu. Me mesazhet që përcolli, kreu i KMSH u bëri thirrje edhe të rinjve të mos e braktisin vendin, por të qëndrojnë këtu për të forcuar kombin e tyre. “Motra dhe vëllezër, kujdesuni që Kombi jonë të rritet nëpërmjet virtytit! Secili nga ne e ka detyrë të kontribuojë për të frenuar mpakjen e kombit. Po pakësohemi dita-ditës. Ne që kemi qenë një nga popujt me moshën më të re në Europë po plakemi me ritme shumë të shpejta. Pse duhet të zgjedhim rrugën më të lehtë, braktisjen e vendit, në vend të qëndrimit këtu dhe të forcimit të kombit tonë. Të lindim fëmijët këtu, t’i rrisim këtu në vendin tonë si qytetarë me virtyte dhe të dorës së parë në vend që t’i çojmë si qytetarë të dorës së dytë nëpër botë!”, u shpreh ai. Ai kujtoi edhe 100-vjetorin e themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. ‘Ka qenë një rrugëtim i mundimshëm, por i bukur. Jemi krenarë për historinë tonë. Jemi krenarë për paraardhësit tanë në këtë shekull. Ne i kemi dhënë dhe vazhdojmë t’i japim kësaj shoqërie, këtij kombi vlerat më të larta e më të sinqerta. Falë besimtarëve dhe drejtuesve të besimeve në Shqipëri, ne i kemi kontribuar këtij kombi një nga vlerat me të cilat krenohemi të gjithë, kudo, harmoninë dhe dialogun ndër fetar. I tillë do të vazhdojë ky kontribut edhe në të ardhmen. Për të patur vazhdimësi kjo vlerë e komuniteteve fetare, duhet që çdo komponent i shoqërisë tonë të kujdeset për të mbrojtur meritën dhe ta shpërblejë atë, kudo që ajo ndodhet”, tha Spahiu. Agjërimi që në gjuhën arabe do të thotë “përmbahem”, është një nga 5 shtyllat e fesë islame, dhe gjatë saj si i varfëri edhe i pasuri janë të barabartë. Dita nisi herët me ndarjen e Sadaka Fitrit për të varfrit dhe më pas me grumbullimin në shesh. Namazi i Bajramit është një detyrim i domosdoshëm për çdo mysliman. Muhamedi i ka kushtuar rëndësi të veçantë duke i urdhëruar myslimanët që të falin këtë namaz. Besimtarët veshin rroba të reja për Bajram, vizitojnë të afërmit dhe miqtë dhe përshëndeten me njëri-tjetrin duke uruar “Gëzuar Fitër Bajramin”. Ëmbëlsirat përgatiten dhe shpërndahen me pjatën kryesore që është sewayi- kadaif i pjekur i gatuar me qumësht dhe i servirur me fruta të thata. Ndryshe nga Kurban Bajrami (i cili fokusohet te mishi), Fitër Bajrami festohet me ëmbëlsira tradicionale të quajtura gjithashtu Meedhi Eid. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments