Ministria e Financave dhe Ekonomisë nisi sot dëgjesat publike për projektligjin “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar” me grupet e interesit, përfaqësues të institucioneve sportive në vend dhe organizata të ndryshme. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e pranishme në takim, theksoi se, “synimi ynë është të arrijmë në një draft ligjor të konsoliduar dhe të kujdesemi që të parashikojë mbrojtjen sociale për ato kategori që mund të jenë të prekura nga ky ligj, që ishte arsyeja kryesore pse ne vendosëm t’i pezullojmë të gjitha lojërat e fatit me pika fizike”. “Iu përgjigjëm interesit të pjesëmarrësve për të theksuar qëllimet kryesore të ndryshimeve ligjore që po ndërmarrim, si rikthimin e basteve vetëm në rrugë elektronike, formalizimin e tregut, duke lejuar vetëm licencimin e subjekteve me përvojë, garantimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe përdorimin e tyre në mbështetje të zhvillimit të sportit, kulturës, teknologjisë, por edhe për programet e mbrojtjes së lojtarit”, u shpreh Ibrahimaj. Ministrja theksoi se, përmes këtij pr/ligji synohet gjithashtu edhe rishikimi i trajtimit fiskal dhe i kuadrit të licencimit, si një mënyrë për disiplinimin e tregut dhe zbatimin e plotë të rregullave ligjore. Të gjitha bastet sportive u mbyllën nga 1 janari i vitit 2019. Ndërsa kazinotë elektronike, ashtu siç parashikon ligji aktual, u zhvendosën në hotelet me 5 yje.
Konslutimi publik, për pr/ligjin e basteve sportive online
RELATED ARTICLES