BSH: Rritja e interesave frenoi inflacionin dhe zhvlerësimin e lekut

0
1

Banka e Shqipërisë bën të ditur se rritja e normave të interesit gjatë vitit të kaluar dha efekt në frenimin e rritjes së inflacionit dhe në forcimin e lekut në kursin e këmbimit valutor. Sipas vrojtimit të BSH-së, “në mungesë të reagimit të politikës monetare, norma e inflacionit do të ishte rreth 0.4 pikë përqindje më e lartë në vitin 2022 dhe mesatarisht 6.5 pikë përqindje më e lartë gjatë viteve 2023 dhe 2024. Ndërkohë që rritja e normave të interesit frenoi inflacionin”. Gjithashtu, sipas vlerësimeve të BSH-së, rritja e normave të interesit ka pasur një ndikim edhe në kursin e këmbimit valutor. Në mungesë të ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit të lekut kundrejt euros do të ishte 1.6 % më i nënçmuar gjatë vitit 2022 dhe mesatarisht 11 % më i nënçmuar për vitet 2023-2024. Një nga efektet kryesore të një dobësimi të mundshëm të lekut në kursin e këmbimit valutor mund të ishte edhe keqësimi i cilësisë së kredisë në valutë të sektorit bankar. Sipas vlerësimeve, dobësimi i kursit të këmbimit do të sillte një rritje të kredive me probleme, të vlerësuar në masën 1.4 pikë përqindjeje për vitin 2022 dhe mesatarisht 5.6 pikë përqindjeje gjatë viteve 2023 dhe 2024. “Banka Qendrore vlerëson se, kur të faktorizohen edhe kohëvonesat e përçimit të sinjalit të politikës monetare në tregun financiar, e më tej në ekonominë reale, kursi i normalizimit të politikës monetare do të ndihmojë në stabilizimin e ekonomisë dhe në kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit 2024”.