Një grup aktivistësh të klimës në Itali po përballen me akuzat e krijimit të një organizate kriminale. “Akuza drejtohet kundër anëtarëve të “Ultima Generazione”, në Padova në veri të Italisë”, tha një zëdhënës i njësisë policore, Divizioni i Hetimeve të Përgjithshme dhe Operacioneve Speciale, “Digos”. “Digos”, agjencia e specializuar kundër terrorizmit, tha se grupi dyshohet se ka penguar lirinë e lëvizjes në rrugë dhe dëmtuar pasuritë kulturore. Sipas gazetës “La Repubblica”, hetuesit e justifikojnë akuzën e krijimit të një organizate kriminale me faktin se veprimet e mosbindjes civile nuk kanë ndodhur në mënyrë spontane, por janë organizuar, diskutuar dhe peshuar nga një hierarki e brendshme.