Me moton “Të rinjtë mbështesin viktimat e dhunës seksuale” është shënuar Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale. Dy të mbijetuarat e këtij krimi u shprehën se pranvera e vitit 1999 ua kujton tmerrin e përjetuar nga kriminelët serbë. Vasfije Krasniqi bashkë me Shyrete Tahiri Sulimani kanë kryesuar marshimin e sotëm të organizuar në mbështetje të të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Pas marshimit nga sheshi “Ibrahim Rugova” deri te monumenti “Heroinat” është prezantuar edhe instilacioni “14 Prilli”, ditë kjo që tashmë njihet zyrtarisht si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale. 14 prilli i vitit ’99 i ka lënë gjurmë Vasfije Krasniqit për tërë jetën. Ajo tha se ajo ditë do të mbetet në kujtimet më të këqija të saj. “14 prilli për shumicën e shqiptarëve është vetëm një ditë, por për mua ka qenë dita më e keqe e jetës sime. Se e kam përjetuar atë që është e pabesueshme për njerëzit që ta kuptojnë se çfarë ka ndodhur me neve. Por me ditën e sotmen, unë këtë ditë dua ta shndërroj në forcë, në guxim, kurajo që tu jap forcë viktimave që zëri ynë të dëgjohet në tërë botën se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë gjatë luftës 1998-1999”, ka thënë Krasniqi. Me kërkesën e Krasniqit është mbajtur edhe një minutë heshtje për një të mbijetuar, siç tha Krasniqi, që ka vdekur ditë më parë. Shyrete Tahiri Sulimani e cila publikisht kishte dorëzuar padinë pranë Prokurorisë Speciale për dhunë seksuale, deklaroi se pranvera e vitit ’98 ka ndryshuar jetën e saj dhe mijëra grave. “Kjo ditë e 14 prillit është historike e ne e dimë se historia kurrë nuk vdes, brez pas brezi ne do të jemi të gjallë e për të na kujtuar se ne jemi nënat dhe motrat, të mbijetuar të dhunës seksuale në Kosovë. Në këtë muaj të prillit të vitit 1999, jeta jo vetëm e imja por e 20 mijë kosovarëve, na ka ndërruar jeta në thelb. Jam shumë krenare që shoh shumë të rinj e të reja këtu sot. E di që këta do të luftojnë çdo herë për neve, e nuk do të lejnë që të harrohet”, ka deklaruar ajo para pjesëmarrësve. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu theksoi se së shpejti do të finalizohet strategjia për drejtësinë tranzicionale. “Është përgjegjësi e jona që zërat e të mbijetuarve të dëgjohen dhe që historitë e tyre të mos harrohen kurrë nga asnjë gjeneratë”, tha ajo.
Marshim në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale
RELATED ARTICLES