Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAEkip menaxhues do të paraqesë statutin e Asociacionit

Ekip menaxhues do të paraqesë statutin e Asociacionit

Për rreth dy javë, Ekipi Menaxhues do ta prezantojë draft-statutin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo do të ndodhë në kuadër të dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Paralajmërimi u dha nga kryenegociatorët e dy vendeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, pas takimit të tyre në Bruksel, më 4 prill. Megjithatë, ende nuk dihet saktësisht se kush e përbën Ekipin Menaxhues, pra kush e ka shkruar statutin për formimin e Asociacionit. Me gjithë përpjekjet e bëra, Radio Evropa e Lirë nuk arriti t’i marrë nga Qeveria e Kosovës emrat konkretë të personave që përbëjnë këtë ekip. Bislimi tha më 5 prill për median e Kosovës, Kallxo, se Ekipi Menaxhues përbëhet nga katër persona të komunitetit serb. “Danijella Vujiçiq është në krye. Dy persona nga ekipi janë të njëjtë, ndërsa dy anëtarë kanë ndryshuar vazhdimisht”, tha ai. REL-i pyeti Qeverinë e Kosovës nëse anëtarët kanë ndryshuar, por nuk mori përgjigje. Danijella Vujiçiq është deputete e Kuvendit të Serbisë nga Partia Përparimtare Serbe, e cila ka pushtetin aje. Ajo vjen nga Mitrovica e Veriut – një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. “Mandati i Ekipit Menaxhues përfundon në momentin kur ai prezanton draftin [e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe]”, tha Bislimi. Në vitin 2018, Ekipi Menaxhues hartoi një statut dhe e dorëzoi atë në Bruksel. Por, ai statut nuk u diskutua kurrë, me dijeninë e publikut. REL-i iu drejtua edhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë me pyetjet se kush e përbën aktualisht Ekipin Menaxhues, a do të prezantohet draft-statuti i vitit 2018 apo është përgatitur një i ri, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje. Se ka paqartësi rreth prezantimit të draft-statutit, e konfirmoi edhe Bislimi, më 4 prill, në Bruksel. RTK

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments