Kievi ka refuzuar propozimin e Brazilit per të hequr dorë nga gadishulli i Krimesë, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë. “Nuk ka asnjë arsye ligjore, politike apo morale pse Ukraina duhet të heqë dorë qoftë edhe një centimetër të tokës së saj”, shkroi në Twitter zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Oleh Nikolenko. “Çdo përpjekje ndërmjetësimi për rivendosjen e paqes duhet të bazohet në respektimin e sovranitetit dhe rivendosjen e plotë të integritetit territorial të Ukrainës, në përputhje me Kartën e OKB-së”, tha ai. Reagimi i tij erdhi si një përgjigje ndaj një sugjerimi të presidentit brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, i cili propozoi që Kievi të hiqte dorë nga Krimea, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014. “Çështja e Krimesë mund të diskutohet”, tha Lula, duke shtuar se Rusia nuk duhet të pushtojë më territorin e Ukrainës. Moska, që atëherë, ka aneksuar zyrtarisht katër zona të tjera të Ukrainës pas pushtimit në shkallë të plotë të nisur nga Kremlini më shumë se një vit më parë. atsh