Në Tiranë po zhvillohet raundi i dytë i diskutimeve teknike mes palës shqiptare dhe asaj greke, mbi skemat e sigurimeve shoqërore. Delegacioni shqiptar drejtohet nga zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë Olta Manjani, ndërsa ai grek nga Anna Rizou, drejtore e Sigurimeve dhe Benefiteve. Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve, Astrit Hado, bëri një prezantim të përgjithshëm të mënyrës sesi funksionon skema e sigurimeve shoqërore dhe reformat që kemi ndërmarrë deri tani, me qëllim përmirësimin e shërbimeve që ofrohen. Ky takim, që pason atë të zhvilluar në Athinë në shtator të vitit të kaluar, tregon vullnetin pozitiv që kanë palët për të bërë të mundur arritjen sa më shpejt të një marrëveshje të përbashkët, aq shumë të dëshiruar nga bashkatdhetarët tanë. Shtetet me të cilat Shqipëria ka marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore janë Hungaria, Kanadaja, Turqia, Belgjika, Luksemburgu, Maqedonia e Veriut, Republika Çeke, Republika Federale e Gjermanisë, Austrisë, Kosovë dhe Mali i Zi. Ndërkohë që është në proces për marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me Holandën, Kroacinë, Rumaninë, Greqinë, Francën dhe Italinë. atsh