Pas pranimit të Finlandës në NATO, jam absolutisht i bindur se Suedia është në rrugën e duhur për t’u bashkuar me aleancën, tha sot sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg. Gjatë një konference për shtyp, përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të aleancës në Bruksel, Stoltenberg tha se anëtarësimi i Suedisë ishte një prioritet për NATO-n. “Anëtarësimi i plotë i Finlandës në aleancë do të rrisë më tej sigurinë e Suedisë dhe gjithashtu do ta integrojë më tej Suedinë në NATO”, shtoi Stotlenberg. Finlanda aplikoi për anëtarësim në NATO, së bashku me Suedinë në maj të vitit 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës. Të gjitha vendet anëtare të NATO-s duhet të bien dakord unanimisht për të pranuar anëtarë të rinj. Pas disa muajsh bisedimesh të ndërmjetësuara nga aleanca, Turqia përfundimisht u dorëzua dhe votoi për të pranuar Finlandën në NATO, javën e kaluar. Vendimi i jep fund statusit neutral prej dekadash të Finlandës mes rreziqeve të perceptuara të sigurisë për shkak të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Finlanda do të bëhet anëtarja e 31-të e NATO-s. Vendi nordik ndan një kufi 1340 kilometra të gjatë me Rusinë. “Finlanda do të mirëpritet zyrtarisht në aleancë me një ceremoni për të shënuar pranimin e vendit në NATO”, tha Stoltenberg. Anëtarësimi i Suedisë është ende në pritje të ratifikimit nga Turqia, për shkak të një sërë shqetësimesh të ngritura nga Ankaraja, mes tyre edhe mungesa e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit. Ndër të tjera, Turqia vazhdon të bllokojë pranimin e Suedisë me arsyetimin se vendi refuzon të ekstradojë 120 persona të konsideruar nga Ankaraja si terroristë.