Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAKEDS ndërton linjën e re mbi 60 km në Gjakovë

KEDS ndërton linjën e re mbi 60 km në Gjakovë

Dalja e Cermjanit që derivon nga qendra e qytetit të Gjakovës e shkon në drejtim të fshatrave malore që degëzohen në njërën anë në drejtim të Deçanit e në anën tjetër në drejtim të Klinës, tashmë është ndërtuar thuajse komplet e re. Ky projekt përbëhet prej tre largpërçuesve-atij të Cermjanit, Becit dhe Erenikut. Të tri këto dalje janë shkrirë në një dalje të vetme dhe mbarojnë në fshatin Kralan të Gjakovës. Kjo linjë është mbi 60 km e gjatë, përderisa 24 kilometra do të jetë nëntokësore. Në linjën nëntokësore, përskaj magjistrales Gjakovë- Prishtinë tashmë pusetat dhe elementet e tjera janë vendosur. Nga aty ndahet degëzimi në Lugbunar që është rrjet ajror, në anën e kundërt të Aeroportit të Gjakovës, që zë shtat po në këtë fshat. Përgjatë këtij segmenti, tashmë gjarpërojnë në një reliev kodrinoro-malor 817 shtylla të reja betoni dhe përçues të rinj elektrikë. Janë në ndërrim e sipër gjithashtu plot 36 trafostacione. Zbukurimin e agut të pranverës në këtë pjesë të Kosovës e rritë edhe infrastruktura e re elektrike. Kjo infrastrukturë vazhdon nëpër Cermjan përbri liqenit të Radoniqit në drejtim të fshatrave që lidhin Gjakovën me Deçanin. Madhështinë e kësaj infratrukture të re ia rrit maja më e lartë e Kosovës, ajo e Gjeravicës që gjendet përballë, teksa e zë relievin e mbuluar me borë në lartësinë e saj, pamje e cila të del përballë në përfundim të kësaj linje, që është ndër më të gjatat në vend. “Ky projekt madhor, i cili kap vlerën prej afër dy milionë eurosh, ka filluar në vitin 2021 dhe do të mbarojë së shpejti. Prej tij përfitojnë më shumë se 2400 konsumatorë ose rreth 10 mijë qytetarë të asaj ane, duke pasur një rrjet të qëndrueshëm dhe furnizim stabil me energji elektrike. Krahas këtij projekti, KEDS po kryen në të njëjtën kohë edhe projekte e investime të tjera në tërë territorin e Kosovës. KEDS është dhe mbetet i përkushtuar që të gjithë konsumatorëve t’u sigurojë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike”, njofton KEDS. RTK

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments