Kombëtarja shqiptare U-19 për vajza do të nisë nga kjo e mërkurë grumbullimin dhe përgatitjet në kuadër të ndeshjeve të raundit të dytë të vlefshme për Kampionatin Europian 2023 për këtë grupmoshë, ku Shqipëria është shortuar në grupin B7 në Ligën B, së bashku me Skocinë dhe Lihtenshtajnin. Trajneri Kreshnik Krepi ka grumbulluar 20 futbolliste për këto sfida të rëndësishme, ku Shqipëria U-19 e vajzave do të tentojë të ngjitet në Ligën A për herë të parë. Baza e lojtareve që kanë marrë ftesë nga trajneri kuqezi janë pjesë e ekipeve të kampionatit shqiptar, ndërsa pesë prej tyre aktivizohen në kampionatet jashtë vendit, me ekipe si “Charlton” në Angli, FK “Austria Vjenës” në Austri, “Leverkusen” në Gjermani, FC “Swift Heper Lux” në Luksemburg e “Valley Fcct” në SHBA. Grupi kuqezi do të ketë në dispozicion një javë për t’u përgatitur për këto ndeshje, duke nisur kjo e mërkurë. Më pas, vajzat kuqezi do të luajnë më 5 tetor takimin e tyre të parë kundër Skocisë në stadiumin “Air Albania” në ora 11:30. Ndeshja tjetër e Shqipërisë U-19 për vajza është programuar të luhet më 11 prill, po në stadiumin “Air Albania” në ora 11:30 ndaj Lihtenshtajnit. Në rast se Kombëtarja shqiptare U-19 renditet e para në grupin B7, atëherë siguron edhe ngjitjen në Ligën A dhe do të ketë shanse reale për t’u kualifikuar në Europianin e ardhshëm për këtë grupmoshë. atsh