Uji që rrjedh nga një mur akulli me penelata gri të reve krijon një imazh të bukur, por pas kësaj pamjeje fshihet një histori shkatërrimi. Akullnajat e Tokës po shkrihen me një ritëm të paprecedentë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit. Ishte gushti i vitit 2014 dhe temperaturat në Svalbard, Norvegji, ishin jashtëzakonisht të ngrohta, mbi 21 gradë Celsius. Ndërsa vinte rreth cepit të një sipërfaqeje akulli në ishullin Nordaustlandet, fotografi kanadez, Paul Nicklen kujton se pa më shumë se një duzinë ujëvarash që derdheshin përpara tij. “Ishte skena më poetike, më e bukur që kisha parë ndonjëherë, por ishte gjithashtu dhe e frikshme”, kujton ai. Fotografia simbolizon realitetet e ndryshimeve klimatike, duke u bërë imazhi më i shitur i artit të bukur të Nicklen. Ajo u shfaq disa herë në “National Geographic”, u përdor nga Al Gore, (themeluesi dhe drejtuesi aktual i Projektit të Realitetit të Klimës), në bisedimet e tij për klimën. Fotografia e Nicklen u shfaq gjithashtu në kopertinën e albumit të vitit 2020 të Pearl Jam “Gigaton”, titulli i të cilit i referohet njësisë që përdoret për llogaritjen e masës së akullit. “Kur bën një fotografi që është e ekspozuar siç duhet, krijon një reagim të brendshëm. Duhet të jetë e bukur dhe tërheqëse, dhe duhet të përcjellë një mesazh për ruajtjen e mjedisit”, tha Nicklen. Në vitin 2014, Nicklen, së bashku me bashkëshorten e tij, Cristina Mittermeier, dhe më vonë iu bashkua gjithashtu Andy Mann (të dy fotografë të vlerësuar me çmime), bashkëthemeluan organizatën jofitimprurëse “SeaLegacy”, e cila përdor filmin dhe fotografinë për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet klimatike dhe për të ndihmuar në mbrojtjen planetit. “Fotografia është një nga mjetet më efektive dhe më të fuqishme që kemi për të treguar histori komplekse, si historia e ndryshimeve klimatike”, tha Cristina Mittermeier. atsh
Fotografitë që zgjuan botën për ndryshimet klimatike
RELATED ARTICLES