Për të shënuar shtrirjen e infrastrukturës telekomunikuese brezgjerë në terë territorin e Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizitoi fshatin Herticë të Komunës së Podujevës. Kurti ka thënë se, në fillim të pranverës, sot po e shënojmë një të arritur të rëndësishme për vendin tonë, lidhjen e fshatit të fundit në internet brezgjerë, tha Kryeministri Kurti. Përmes një komunikate për medie nga Zyra e Kryeministrit thuhet se është duke u realizuar një objektiv kyç “që ka të bëjë me një nga parimet kryesore të qeverisjes sonë, e që është gjithëpërfshirja. Në rrugëtimin tonë drejt digjitalizimit është me rëndësi që askush të mos mbetet prapa”. Kurti theksoi se, Qeveria po sigurohet që përfitimet nga digjitalizimi i gëzojnë të gjithë qytetarët pa dallim rajoni, gjinie, etnie, apo statusi ekonomik. “Duke investuar në infrastrukturën brezgjerë, ne po i thyejmë barrierat dhe po sigurojmë që të gjithë qytetarët të kenë qasje të barabartë në botën digjitale, shtoi ai. Kryeministri më tej ka thënë se synohet mbështetja e ekonomisë digjitale, si faktor i rëndësishëm i rritjes ekonomike. Por, shtoi më tej ai, zhvillimi i qeverisjes dhe ekonomisë digjitale kërkon infrastrukturë e shkathtësi, dhe një ekosistem të gjerë inovacioni dhe se përmes programit të Ekonomisë Digjitale të Kosovës – KODE, me mbështetje të Bankës Botërore, Ministria e Ekonomisë është angazhuar në krijimin e këtyre parakushteve. “Falë këtij programi, tashmë janë trajnuar mbi 400 të rinj e të reja në fusha të ndryshme të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, përderisa deri në fund të programit ky numër do të arrij në 2,000. Gjithashtu është mundësuar lidhja në internet brezgjerë të 201 fshatrave, 107 shkollave dhe 43 ambulancave, që më parë nuk kanë pasur një lidhje të tillë. Kjo lidhje e zonave rurale, duke përfshirë edhe ato më të thella, në internet brezgjerë, nuk është vetëm një projekt infrastrukturor. Është një hap përpara në rritjen dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të shtetit tonë. Është një qasje në shërbime, mundësi për arsim e kujdes shëndetësor më të mirë, dhe prosperitet ekonomik në çdo cep të vendit, ka thënë ai. Ai theksoi se, nga sot Kosova është vendi më i mbuluar me infrastrukturë brezgjerë – është kampione në regjion dhe e krahasueshme me shtetet e zhvilluara të Bashkimit Evropian për shtrirje dhe përdorim të internetit brezgjerë. Duke folur për angazhimin e Qeverisë, Kurti theksoi se shpejti do ta inaugurojmë Parkun e Teknologjisë Digjitale në Bërnicë, i cili do të ofrojë një platformë të re të rëndësishme për zhvillimin dhe rritjen e industrisë së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë. Ky park është edhe një investim i Qeverisë në ekosistemin e inovacionit, krahas investimit të vazhdueshëm së bashku me qeverinë gjermane në Parkun e Inovacionit dhe të Trajnimeve në Prizren. atsh
Kurti: Lidhja e zonave rurale në internet brezgjerë
RELATED ARTICLES